Katër ditë nga zgjedhjet në Shqipëri, Koalicioni i Vëzhguese Vendorë, gjatë një konference të mbajtur ditën e sotme, ka ngritur alarmin se gjatë kësaj fushate nuk ka pasur transparencë nga paritë politike.

Në vazhdimësi të veprimtarisë dhe rolit “Watchdog” si dhe në kuadër të aksionit të monitorimit të Zgjedhjeve të Përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë të 25 Qershorit 2017, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, zhvilloi sot një Konferencë për Shtyp mbi mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore.

Përfaqësuesi i KVV, Premto Gogo theksoi se të gjendur në prag të fundit të një fushate zgjedhore, ku po mungojnë alternativat dhe platformat, procesi zgjedhor pritet të jetë i përmbysur në thelbin e tij.

“Nga një ditë ku qytetarët do të duhej të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre, rrethanat e kësaj fushate, duket se po e shndërrojnë në një ditë ku qytetarët thjesht do të afirmojnë vullnetin e imponuar partiak. Në këtë situatë, në mungesë të një përballje idesh e vizionesh, ku kandidaturat parlamentare mbetën tërësisht nën hijen e siglave të subjekteve politike, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i bën thirrje dhe i kërkon të 18 Subjekteve Zgjedhore dhe Kandidaturave të tyre, të kryejnë Transparancë Financiare”-deklaroi Gogo.

KVV kërkoi nga subjektet politike:
Të 18 subjektet zgjedhore, së paku si provë vullneti, të deklarojnë të ardhurat dhe shpenzimet e detajuara për zhvillimin e kësaj fushate zgjedhore përpara ditës së votimit.

Të gjithë Kandidatët e të 18 Subjekteve Zgjedhore të deklarojnë përpara ditës së votimit gjendjen e tyre financiare, ku të përfshihen burimet e të ardhurave, asetet materiale dhe detyrimet që ata shlyejnë sipas legjislacionit tatimor.

Në një situatë kritike për Integritetin e të Zgjedhurve, të vlerësuar nga vetë klasa politike si të tillë, mbetet në përgjegjësinë e lidershipeve politike që të provohet se kjo gjendje është eventualitet i një realiteti demokratik në zhvillim dhe jo e një vullneti vertikal.

Përtej detyrimeve ligjore, është përgjegjësi e Lidershipit Politik, si një vullnet dhe moral i qartë politik, të vërë në dijeni dhe të sigurojë zgjedhësit se Reformat Madhore që do të ndërmerren nuk do të kryhen nga figura të kapura nga interesa të dyshimta ende pa u zgjedhur.

I bëhet thirrje Qytetarëve që të përpiqen të shkëputen e t’i qendrojnë larg demagogjisë së politikës së ditës dhe retorikës elektorale. Përpara se të shkojnë në kutitë e votimit, ata duhet të ndërgjegjësohen për integritetin e kandidatëve dhe të subjekteve që do të votojnë, duke patur një gjykim objektiv e largpamës, pasi janë pikërisht këta kandidatë, të kontraktuarit e tyre publik për qeverisjen e vendit dhe të së ardhmes së tyre.

Sipas KVV, vullneti i lidershipeve politike ishte ai, që përpos zotimeve madhore për një reformë integrale dhe gjithëpërfshirëse në emër të votës së lirë, dështoi punën e Komisionit të Posaçëm
Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

“Sërish ishte vullneti i lidershipeve politike ai që rrezikoi të përfshinte vendin në një spirale krize institucionale, në emër të mundësisë reale të qytetarit për të zgjedhur. Po prapë, vullneti i lidershipeve politike ishte ai, që në mungesë të transparencës ndaj publikut të gjerë, dakortësoi një marrëveshje politike tej-ligjore me kryefjalë ruajtjen e vullnetit të lirë të qytetarit për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Me 25 Qershor 2017, qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen kutive të votimit në një proces zgjedhor në emër të vullnetit të tyre. Të gjendur në prag të fundit të një fushate zgjedhore, ku po mungojnë alternativat dhe platformat, procesi zgjedhor pritet të jetë i përmbysur në thelbin e tij. Nga një ditë ku qytetarët do të duhej të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre, rrethanat e kësaj fushate, duket se po e shndërrojnë në një ditë ku qytetarët thjesht do të afirmojnë vullnetin e imponuar partiak”, deklaron KVV.

Po ashtu shtohet, arritja e dakortësisë politike ndërmjet dy lidershipeve kryesore do të duhej të
mundësonte një fushatë zgjedhore të fokusuar tërësisht tek qytetari dhe të mbështetur në argumente dhe platforma politike.

“Ecuria e deritanishme e kësaj fushate zgjedhore në prag mbyllje, duket se jo vetëm po rrëzon pritshmëritë e lindura, por edhe po vazhdon ecurinë e shenjimit të precedentëve negativë. Veprimtaritë elektorale të subjekteve zgjedhore, më shumë se qytetarët kanë për objekt rivendosjen apo afirmimin e konteksteve politike. Kësisoj edhe njëherë, klasa politike po vetëpromovohet në qendër të dialogut publik dhe në kundërvënie dritëshkurtra.
Në këtë situatë, në mungesë të një përballje idesh e vizionesh, ku kandidaturat parlamentare mbetën tërësisht nën hijen e siglave të subjekteve politike, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i bën thirrje dhe i kërkon të 18 Subjekteve Zgjedhore dhe Kandidaturave të tyre, të kryejnë Transparancë Financiare”, thekson KVV.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: