Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka publikuar një video nga Njësia 9 në Tiranë, ku denoncon problematikat me mbetjet urbane dhe mungesën e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse.

Në reagimin e tij, Braçe shprehet se situata në disa zona pranë qendrës së qytetit, konkretisht pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, është shqetësuese. Sipas tij, grumbullimi i inerteve ka vijuar prej më shumë se dy muajsh, ndërsa banorët raportojnë se depozitimi i mbetjeve vazhdon.

Deputeti thekson se kjo situatë jo vetëm dëmton mjedisin, por ndikon edhe në imazhin e qytetit, sidomos për të huajt që jetojnë në zonë. “Banorët më bënë me dije shqetësimin se të huaj që banojnë në lagje e shohin këtë pamje dhe e keqvlerësojnë Tiranën,” shprehet ai.

Braçe e lidh problemin me mungesën e kontrollit dhe përgjegjshmërisë nga autoritetet, duke përmendur institucionet shtetërore, bashkinë dhe policinë si përgjegjëse për parandalimin, ndëshkimin dhe pastrimin e situatës.

“Plehrat janë produkt i një kulture të gabuar, por edhe rezultat i mungesës së kontrollit në territor,” thekson ai, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problematikës.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur vetë Braçe ka shprehur ambicien për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e ardhshme, duke e vendosur edhe më shumë fokusin te çështjet urbane dhe menaxhimi i qytetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb