Nga LUIGI LA SPINA*

Gazeta italiane “La Stampa” i ka kushtuar Visar Zhitit dhe debatit për të një artikull të gjatë dje. Në të përfshihet jeta në komunizëm dhe demokraci e poetit, të cilin, sipas “La Stampës”, e ndjek ende hija e regjimit të dikurshëm.

Kjo histori ka ndaluar në një kryq të pabesë, atë mes politikës, fesë dhe poezisë. Po, sepse protagonist është një nga poetët më të rëndësishëm shqiptarë. Visar Zhiti është i biri i një poeti, Hekurani (aktor dhe dramaturg), i papëlqyer për regjimin e pamëshirshëm komunist të Enver Hoxhës deri në pikën që ai u mbyll në burg, ku edhe vdiq.

Visari shkoi në gjurmët e të atit, që e çuan atë, në 1979-ën, në të njëjtin destinacion: një qeli dy me tre metra dhe pastaj, në kampin e punës së detyruar në miniera. Dënimi dhjetëvjeçar pasoi një gjykim të zakonshëm në formë farse, gjatë së cilës prokuroria e qortoi se kishte shkruar vargje shumë hermetike, të cilat ishin të trishta dhe në kundërshtim me kanonet e realizmit socialist.

Visari pati më shumë fat se i ati. Rënia e regjimit të Hoxhës, pas shtatë vjetësh, i hapi dyert e burgut, madje edhe dyert e Perëndimit e të parajsës së lirisë. Shijen e lirisë e ndjeu menjëherë, sepse poezitë e tij u botuan dhe u përkthyen, si në Shqipëri, ashtu edhe në shumë vende evropiane e në Shtetet e Bashkuara. Më në fund, qeveria e re demokratike ia njohu meritat dhe e emëroi atë, më 1995, këshilltar kulturor dhe zëvendësambasador të Shqipërisë në Romë.

Në Romë

Ato pesë vjet në kryeqytetin tonë qenë dehëse për Visarin, sepse frekuentimi i botës letrare të Romës i zgjeroi jashtëzakonisht referencat kulturore të poezisë së tij. Zhiti, në këtë mënyrë, publikoi më 1997-ën koleksionin e tij të parë të poezive, “Kryqi i mishit”, dhe shumë shpejt më pas, të dytin, “Rrëfime pa altarë”, që patën sukses të menjëhershëm. Kthimi në Tiranë ishte po aq i lumtur, jo vetëm për shkak se ai u emërua ministër i Kulturës, por edhe për shkak se takoi gruan e jetës së tij, Edën, me të cilën u martua dhe e cila i dha një djalë, Atjonin.

Jeta e Visarit, i cili ndërkohë botoi edhe një roman të bukur që sapo është përkthyer në italisht nga RUBBETTINO me titullin “Vizionari me krahë dhe gruaja e ndaluar”, një pasqyrë e tradhtive të Europës ndaj Shqipërisë së çliruar nga diktatura, duket se po kalon një fitore të merituar letrare.
Por, kur poezia kryqëzohet me politikën dhe fenë, i duhet të ndalojë.

Refuzimi i peshkopit

Çdo gjë ndodh brenda dy javësh. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama propozon emërimin e Zhitit ambasador në Selinë e Shenjtë. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, nis procedurat e ndërlikuara me Vatikanin, kur ndodh diçka e habitshme. Peshkopi ndihmës i Tiranës dhe Durrësit, George Frendo, në një intervistë në “Gazeta Shqiptare”, kundërshton emërimin, sepse Visari është mysliman dhe jo katolik. Anashkalon, në fakt, që Zhiti, gjatë viteve të tij në burg, ishte konvertuar fshehurazi në katolik.

Por injoron ose bën gjoja sikur harron edhe mesazhin që, në shtator 2014 Papa Françesku kishte dhënë në sheshin e “Shën Terezës së Kalkutës”, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Papa, në fakt, e kishte motivuar udhëtimin e tij në Shqipëri me dy arsye: një homazh ndaj “shembullit të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës paqësore fetare”, që ka ky vend dhe për “rezistencën heroike të bashkësisë katolike” gjatë një diktature komuniste që pikërisht në Kushtetutë, impononte ateizmin si besim të shtetit, ndaj kushdo që deklarohej si besimtar, shkelte ligjin.

Presidenti armiqësor (kundërshtar, hostil-ostil)

Intervista e Peshkopit Frendo mund të konsiderohej gafë, edhe sepse ajo u pasua me një sqarim të tij të sikletshëm, shumë të ngjashëm me një tërheqje në të vërtetë. Sa keq, që ajo u kap nga armiqtë e Visarit, si një pretekst providencial për të bllokuar emërimin e tij në Selinë e Shenjtë.
Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë, me një rezolutë unanime, e nënshkruar edhe nga shumica qeverisëse, edhe nga opozita, manifeston konsensusin për poetin, edhe me arsyetimin që prania e tij si ambasador në Vatikan do të ishte e dobishme për të “afirmuar vlerat e laicitetit të shtetit”. Nunci Apostolik, për më tepër, duket se premton miratimin e emërimit, por është presidenti shqiptar Bujar Nishani, që kryeson grupin e atyre që duan t’i ndalojnë kthimin në Romë.

Versionet e kësaj armiqësie, natyrisht, janë të ndryshme. Ai më dashamirësi flet për zhgënjimin e Nishanit, pasi është parë i anashkaluar nga Kryeministri për emrin e Visarit, ndërsa një tjetër (version) më i thellë, zbulon një sfond që nuk e justifikon kundërshtimin presidencial, vetëm për një plagë në krenarinë e hierarkisë, por tregon për një paragjykim të hershëm, kundër një poeti rebel apo një ish-rebeli.

Nishani, në fakt, në kohën e regjimit të Hoxhës, ishte një oficer ushtrie dhe, ndoshta, është e kaluara e tij që i frenon entuziazmin për një detyrë e cila do të shpërblente një intelektual që nuk është i gatshëm të ndjekë (në mënyrë pasive) menjëherë dëshirat e pushtetit, cilido të jetë pushteti.
Hija e regjimit të vjetër, pra, duket se po e ndjek Visar Zhitin pa shpëtim, ashtu siç ka qenë i keq fati me lumturinë e tij familjare.

Dy muaj më parë, djali i tij i dashur Atjon, student në Universitetin Katolik të Milanos, u kthye për një pushim të shkurtër në Tiranë. Por, sapo mbërriti në Shqipëri, buzëqeshja e tij fiket përgjithnjë mbi një motor, në një aksident të tmerrshëm.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb