TIRANE- Pas zbulimit të një laboratori për përpunimin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit, që çoi në pranga 11 persona, mes tyre edhe nipi i sh-diktatorit Enver Hoxha, prokuroria për Krime të Rënda shkëmben informacione me homologët gjermanë.

Duke qenë se sinjalizimet për këtë trafik erdhën pikërisht nga Gjermania, një grup prokurorësh gjermanë kanë takuar sot Prokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Beci.

Mësohet se takimi ka nisur rreth orës 13:00 të ditës së sotme, ku një prokuror gjerman, një drejtues nga forcat e policisë gjermane dhe si përfaqësues i kësaj ambasade, kanë zhvilluar një takim me kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Eugen Beci.

Takimi ka zgjatur për rreth dy orë, ndërsa është diskutuar për ecurinë e hetimeve ndaj të arrestuarve, si dhe vijimin e operacionit për kapjen e personave të tjerë. Mësohet se në takim janë shkëmbyer informacione për rastin në fjalë, ku prokurorit gjermanë pritet të ofrojnë ndihmën e tyre.

Laboratori i kokainës u zbulua mbrëmjen e së mërkurës gjatë një operacioni ndërkombëtar të ndërmarrë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, në fshatin Xibrakë të Elbasanit, ku përpunohej kokainë me destinacion tregjet europiane. Në këtë laborator u sekuestruan gati 120 kg lëndë narkotike kokainë, ndërsa u arrestuan edhe 11 persona, 2 prej të cilëve u lanë të lirë, pasi prokuroria nuk gjeti prova që i implikonte me trafikun.

Mësohet se ka qenë një sinjalizim nga autoritetet gjermane, i cili ka çuar në zbulimin e rrjetit të drogës. Dyshohet se kokaina vinte në Shqipëri me kontenierë nga Amerika Latine dhe më pas kishte si destinacion tregjet europiane. Policia pohon se grupi i kokainës e zhvillonte aktivitetin në Shqipëri prej një viti, ndërsa më herët punonte në linjën Spanjë-Holandë. Me qëllim përpunimin “profesional” të lëndës narkotike dhe përgatitjen përfundimtare të saj për treg, organizata kriminale ka rekrutuar dhe angazhuar në përbërjen e saj, shtetas kolumbian, 2 prej të cilëve të arrestuar në këtë operacion.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb