LAÇ- Rreth 2 javë pas konfliktit të armatosur për Lagunën e Patokut, flasin ekskluzivisht për News24 vëllezërit Cali, të përfshirë në konflikt me deputetin Armando Prenga. Gjok Cali rrëfen se si përfunduan në komisariat, mes breshërive të plumbave të palës tjetër, e akuzojnë uniformat blu se nuk vepruan për të ndalur të shtënat as brenda ambienteve të komisariatit.

“Kush shkuam tek dhoma për të bërë denoncimin, kërciti automatiku jo pistoletë. më thotë polici shtrihu përtokë, shtrihu shtrihu dhe futu këtu. Si të futem i thashë, po vij pas teje. Në ambientet e Komisariatit. Po vinte duke bërtitur ai me pistoletën në dorë, duke kontrolluar dhomat, vëllai i deputetit. I them policit nxirre pistoletën se po na vrasin brenda turp mor ti, ai s’foli fare. Bile tentova t’ia merrja pistoletën se po na vriste brenda. Pastaj u largua, ka hyrë tek dhoma me pistoletë në dorë, nuk më ka parë dhe u kthye mbrapsht. Pastaj dola menjëherë pas policit jashtë komisariatit. Kam gjetur vëllain Nikollën të plagosur në këmbë, po derdhte gjak, madje kemi hequr një rrip dhe i kemi lidhur këmbën. Më pas ka ardhur vëllai tjetër Toma, edhe ai i plagosur dhe është shtrirë brenda Komisariatit. Ka ardhur Françesku që është djali i Tomës, nipi im dhe të gjithë të larë në gjak. I kërkuam shumë shumë ndihmë policisë, por ishin fshehur të gjithë policët. Mund të kemi ndenjur 20 minuta duke kërkuar ndihmë. Ka dalë një polic që ka ndezur makinën e policisë, kemi ngarkuar Nikollën në makinë të policisë, kurse Tomën në makinën time e kemi çuar tek spitali. Në anë të spitalit kemi parë Armando Prengën me gjithë vëllezërit të rreshtuar sikur ishin krushq. Di me të thënat e kushërinjve se pasi jemi nisur ne, kanë gjuajtur me breshëri automatiku pa fund në oborr të spitalit”, rrëfen Gjok Cali.

Sipas tij të shtënat në komisariat erdhën një ditë pasi deputeti Armando Prenga kishte rrahur djalin e tij, ndërsa shëtiste në breg të detit si dhe kishte goditur më pas në rrugë Gjok Calin ndërsa ky shkoi t’i kërkonte sqarime. Po ashtu ai tregon njëherësh se fisi Gjokaj kishte shkuar t’i shkatërronte lokalin në Patok.

“U takuam në Fushë-Kuqe, e pashë se po vinte makina e tij, i bëra shenjë dhe u ndalua. Doli direkt me pistoletë, pa folur asnjë lloj fjale më ka goditur në kokë me pistoletë, më ka përgjak dhe më ka gjuajtur njëherë më mbrapa. Pas gjithë asaj rrëmuje, u bëmë të gjithë bashkë dhe thamë po shkojmë të bëjmë denoncimin. Prit se po vjen policia, s’po vinte. Dolëm në rrugë, sa ka ardhur djali tek porta e merr në telefon nipi që e lamë atje dhe i thotë se kanë ardhur 3 makina kanë thyer lokalin me pistoletë në dorë duke më kërkuar mua, Gjokën”, tregon ai.

I vëllai tjetër Gjon Cali akuzon policinë e Laçit se ka fshehur kamerat e sigurisë, që tregojnë atë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë brenda në komisariat.

“Si ka mundësi që të fiken kamerat posaçërisht atë natë. Kamerat e policisë. Githsecili të marrë dënimin e merituar”, thotë Gjon Cali.

Sa i përket lagunës së Patokut, Gjon Cali thotë se e kanë marrë licencën për shfrytëzimin  saj në vitin ‘91 në kohën kur qeveria teknike e atëhershme drejtohej nga Vilson Ahmeti. Pas shumë vitesh shfrytëzimi, në 2013  do të zhvillohej sipas tij një tender abuziv dhe shfrytëzimin e lagunës do ta merrte i vëllai i Armando Prengës, pikërisht Eduart Prenga.

“Tenderi ishte abuziv. E para, rregullorja thotë me elektronikë. E dyta, firma që doli fituese dy muaj përpara u krijua, pa pasur asnjë lloj historiku, pa pasur asnjë lloj eksperience në fushën e peshkimit”, deklaron Gjoni.

Natën e 4 shtatorit, si pasojë e përplasjes së mes dy familjeve Cali-Prenga mbetën të plagosur 7 persona. Policia arrestoi disa persona nga të dy familjet e përfshira në konflikt, mes tyre deputetin Armando Prenga. Ky i fundit tashmë është lënë në “burg pa afat” nga Gjykata e Lartë dhe akuzohet për “Armëmbajtje pa leje”, “Plagosje e rende me dashje” dhe kanosje për jetën”.

(m.k/News24/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb