TIRANË

Arrestohet pedagogu, botuesi dhe analisti Henri Çili. Mësohet se Çili është arrestuar orët e para të mëngjesit të sotëm për llogari të policisë së Gjirokastrës me disa akuza.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se e gjitha ka nisur nga shtetasi Gazmir Enri Ajdini, vëllai i bashkëjetueses së botuesit Henri Çilit. Ajdini ndodhej në burg për disa akuza dhe aty është njohur me Arbion Alikon, i dënuar për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha gjatë operacionit në Lazarat, me të cilin ka biseduar për lirimin e tij.

Mësohet se ndër të tjera Gazmir Ajdini bashkëpunonte me persona të ndryshme nga Shqipëria për sigurimin e lëndëve narkotike. Ai ka komunikuar me Arbion Alikon dhe i ka kërkuar 1 mln euro për ta liruar por Aliko i ka thënë se nuk e disponon. Më pas ka rënë dakord për 750 mijë euro me Adil Alikon. Sipas dosjes hetimore Gazmiri ka marrë shumë para nga të afërmit. Ai ka komunikuar me Çilin që të bënte disa shkrime në favor të Arbion Alikos.
Ndërkohë në dosje thuhet se Çili ka komunikuar me një zyrtar të lartë të drejtësisë për përshpejtimin e dosjes për vëllezërit Aliko por nuk saktësohet emri i zyrtarit.
Lala tha se hetimi ka nisur muaj më parë nga prokurori Asllan Bajrami pas arrestimit të një personi që tentoi të transportonte një sasi hashashi nga Shqipëria në Greqi. Ai ka regjistruar një procedim penal me 10 persona të akuzuar.

Arrestimet kanë ardhur pas hetimeve disa mujore nga prokuroria e rrethit të Gjirokastrës dhe dyshohet se këta persona kanë konsumuar disa vepra penale si falsifikim i dokumenteve, mashtrim, si edhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm te organet e drejtësisë.

Burimet thanë për gazetaren e “BalkanWeb” Brikena Metaj se bashkë me Çilin janë ndaluar 40 persona gjithsej të ndaluar në vend, 13 prej tyre nga Përmeti, mes tyre dhe një avokat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb