Policia e Shtetit është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e “Equos Resort”, ku po zbatohet një vendim për sekuestrimin e pasurive te Ergys Agasit.

Sipas informacioneve paraprake qe percjell Klodiana Lala, në fokus të veprimit janë disa vila të ndërtuara në këtë kompleks, të cilat dyshohet se janë ngritur pa leje ndërtimi dhe më pas janë legalizuar në mënyrë të kundërshtuar me ligjin.

Duke iu referuar SPAK, Ergys Agasit i janë sekuestruar 29 pasuri të paluajtshme, mes tyre vila, toka në Tiranë dhe Durrës, po ashtu dhe 7 llogari bankare.

Ndërkohë, SPAK ka sekuestruar dhe 9 llogari bankare në emër të Karçanajt, pasuri që dyshohet se rrjedhin nga korrupsioni.
Po ashtu Karçanajt i janë sekuestruar apartamente, 2 në Tiranë, 1 në Qerret

AKUZAT
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) publikoi dje një njoftim zyrtar në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj Ergys Agasit, Ermal Beqirajt dhe ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Me kërkesë të SPAK Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e një liste të gjatë pasurish, të cilat sipas SPAK kapin një vlerë të përafërt mbi 40 milionë euro.

Në vendimin e gjykatës përfshihen apartamente, truaj, vila, pyje, ndërtesa, automjete luksoze, llogari bankare në disa institucione financiare, si dhe aksione në subjekte tregtare, në pronësi të Agasit, Beqirajt dhe Karçanajt.

Ndër pasuritë e sekuestruara përmenden: apartamente dhe prona në zona të ndryshme të Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, sipërfaqe të mëdha toke dhe pyjesh në Petrelë dhe zona të tjera periferike, automjete luksoze, disa llogari bankare, subjekte tregtare dhe aksione në kompani të ndryshme si edhe mjete lundruese, përfshirë një jaht. Gjithashtu, në disa raste janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash të mbajtura në llogari të subjekteve të ndryshme tregtare. Ndaj Agasit, i cili ndodhet në arrati, është lëshuar urdhër arrest me kërkesë të SPAK-ut, pas hetimeve mbi skandalin te AKSHI, ku biznesmeni akuzohet për ndërhyrje në tenderat publikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb