DURRES- Gruaja e një efektivi policie në Durrës është gjetur e vrarë në banesën e saj. Ngjarja në fjalë ndodhi rreth orës 13:20 në lagjen nr. 7 të qytetit bregdetar. Nga të dhënat paraprake të policisë, dyshohet se 47-vjeçarja Merita Hajdari është vetëvrarë me armë zjarri, por blutë nuk përjashtojnë as pistën e vrasjes. Po ashtu ka dyshime se nëna e dy djemve të rritur ka humbur jetën nga një plumb në kokë, ndërsa dyshohet se është përdorur arma e shërbimit të burrit.

Burime për BalkanWeb thanë se në sallën operative, ngjarja u njoftua si një krim brenda familjes. Menjëherë drejt vilës tre katëshe ku banonte e ndjera u nis grupi hetimor, në përbërje të të cilit janë një inspektor i krimeve të rënda si edhe prokurori i gatshëm, i cili do të kryejë ekspertizën e vendit të ngjarjes duke ndërtuar ngjarjen sipas dëshmive. Sakaq në komisariatin e Durrësit, po merren në pyetje familjarët e 47-vjeçares si edhe bashkëshorti i saj polic.

Gazetarja Klodiana Haxhiaj raporton se në vilën tre katëshe banonin dy familje polici bashkë me të vëllanë, për të cilët fqinjët thonë të kishin marrëdhënie shumë të mira mes tyre. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për ‘BalkanWeb’ se gjatë momentit të ngjarjes në banesën e punonjësit të policisë së Durrësit Sherif Hajdari ka pasur edhe persona të tjerë.

NJOFTIMI I POLICISË
“Më datë 06.08.2018, rreth orës 13:20, në lagjen Nr.7, Durrës është gjetur e vrarë në banesë me armë zjarri shtetasja M.H. 47 vjeçe. Nga hetimet paraprake dyshohet se është vetëvrarë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb