Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas vendimit të GJKKO për ta lënë në burg, duke e cilësuar procesin si të kurdisur dhe të mbushur me “lapsuse skandaloze”.

Në një deklaratë publike, Veliaj denoncoi atë që e quajti një “gabim trashanik” në dosjen e tij hetimore, ku prokurori i çështjes, Ols Dado kishte shënuar se ai ishte i dënuar, sipas një dokumenti të Byrosë Kombëtare të Hetimeve. Veliaj theksoi se kjo është një shpifje, pasi dëshmia e tij e penalitetit është e pastër dhe se si kryebashkiak ka plotësuar të gjitha formularët e dekriminalizimit.

  • foto galeri

“Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi deklarova se jam i padënuar, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte me një telefonatë dhe e justifikoi si një ‘lapsus’. Po si mund të bëhet një lapsus i tillë në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetën e njerëzve duke e kaluar thjesht si një gabim shkrimi?”, u shpreh Veliaj.

Ai akuzoi prokurorinë për një hetim të njëanshëm dhe tha se ky rast hedh dyshime serioze mbi gjithë procesin ndaj tij dhe bashkëshortes. Veliaj premtoi se do të publikojë të gjitha “gabimet” e gjetura në dosjen hetimore, ndërsa akuzoi prokurorin Dado për tendencë të hapur për ta shpallur fajtor pa nisur ende gjykimi.

Reagimi i plotë i Veliajt:

Kurdisja e një paçavureje 1
Nuk mund të rri pa folur edhe për një skandal të rëndë që zbulova dje në sallën e gjyqit, e shkruajtur e zezë mbi të bardhë, që në faqen e parë të paçavures së hartuar me zell të madh nga prokurori Ols Dado.
U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruajtur: “Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.”
Kur e mësova, ky detaj më tronditi edhe mua personalisht, ashtu siç mund të ketë tronditur jo pak njerez të tjerë sepse dëshmia ime e penalitetit është e pastër.
Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time.
Pra, që në faqen e parë të akuzës të ngritur kundër meje na qenka bërë gabimisht një lapsus frojdjan kaq i rëndë, e njëkohësisht kaq qesharak, nga prokurori hartues i dosjes.
Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”?
Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime.
Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb