Shqipëria humb një artist nga koronavirusi. Ka ndërruar jetë aktori Valter Gjoni, i cili ka humbur sot betejën me virusin vdekjeprurës. Valter Gjoni numëron me dhjetëra role në teatër dhe kinematografi.

Gjoni, 66 vjeç, ishte drejtor i Protokollit në Bashkinë e Tiranës. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur dhe kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Valteri ynë gojëmjaltë e zemërbardhë nuk e mundi dot këtë flamë të pabesë ⚫️.
I shërbeu qytetit tonë me dashuri përditë për 4 dekada, duke lënë sot një boshllëk të pangushëllueshëm për familjen dhe mijëra kolegë e miq që e njohën dhe e deshën si kujtesa historike e Tiranës”, shkruan Veliaj.

  • foto galeri

KUSH ISHTE VALTER GJONI
Valter Gjoni lindi lindur më 4 tetor 1954 në Tiranë, ishte arsimuar në nivel parauniversitare, po në Tiranë. Në vitin 1978 përfundoi studimet universitare pranë Akademisë së Arteve në degën e artit dramatik dhe po në këtë vit fillon veprimtarinë e tij profesionale si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, në Teatrin Popullor (Kombëtar), pranë kinostudios “Shqipëria e Re” dhe Radio Televi-zionit Shqiptar. Ka në biografinë e tij artistike 60 role në teatër dhe estradë, 8 role në kinematografi, ka realizuar 5 filma dokumentar etj. Në vitin 1987, krahas studimeve pasuniversitare për titull shkencor të nivelit të parë, përfundon edhe studimet e specializimit në degën e gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike (në bazë të legjislacionit aktual konvertohet me nivelin Master Shkencor në Gazetari). Ka kryer edhe kualifikime në disa vende si Francë, Holandë, Danimarkë, Finland, Itali, Greqi etj. Njëkohsisht, Valter Gjoni ishte anëtar i nominuar i disa organizmave ndërkombëtare. Gjoni ishte autor i shumë artikujve kulturor, artistik, problematik, informativ e historik në gazeta, revista, emisione televizive dhe botime të veçanta. Pas një përvoje pune në institucionet e artit dhe medias të Tiranës, në vitin 1991 e në vijim, V. Gjoni emërohet pranë Bashkisë së Tiranës, ku përmbush një sërë detyrash, si drejtues i sektorëve që lidhen me artin, kulturën, ceremonialin e qytetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Valter Gjoni mban disa tituj nderi të vendit dhe ndërkombëtare, ku titulli më i lartë është Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikë Franceze dhe Urdhrin “Naim Frashëri” i Republikës së Shqipërisë dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb