KPK shkarkon gjyqtarin Guximtar Boci. Bëhet fjalë për gjyqtarin i cili në vitin 2016 u bë i njohur pas publikimit të një audio-përgjimi, ku atë kohë kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, Boçi i kërkonte favore seksuale një gruaje 40-vjeçare në këmbim të vendosjes së drejtësisë për një çështje pronësie që gruaja kishte në gjykatë.

Më 28 prill, gjyqtari i Gjirokastrës u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, teksa sot trupa e përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Lulzim Hamitaj pasi analizoi provat dhe faktet vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

Guximtar Boçi e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si gjyqtar dhe kryetar gjykate në Gjirokastër.

Në vitin 2016, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e shkarkoi Boçin nga detyra e kryetarit të Gjykatës dhe e pezulloi atë si gjyqtar, pas publikimit të një audioje në emisionin “Stop”, ku ai akuzohej se kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor.

Në vitin 2017, prokuroria e pushoi procedimin penal ndaj Boçit dhe një vit më vonë ai fitoi pafajësinë me vendim të Gjykatës së Apelit të Vlorës. Boçi ka kërkuar prej asaj kohe rikthimin në sistemin gjyqësor, por Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka rrëzuar kërkesat e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb