TIRANË

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendos përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranit në Gjykatën e Lartë. Mbledhja e sotme është shoqëruar me debate, ndërsa relatorja e çështjes Marsela Shehu ka deklaruar se Dvoranit i ka mbaruar detyrimi kushtetues për të pritur pasardhësin e tij dhe se qëndrimi në detyrë mbi afate cenon dhe vë në rrezik parimet e Kushtetutës.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se KLGJ ka vendosur mbarimin e mandatit të Ardian Dvroranit si anëtar i Gjykatës së Lartë, me 6 vota pro dhe 4 kundër.

Me mbarimin e mandatit në Gjykatën e Lartë, Dvorani largohet edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ku është për shkak të detyrës si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Dvoranit i është propozuar një vend në Gjykatën e Apelit.

Gjatë mbledhjes, shumica e anëtarëve u shprehën për mbarimin e mandatit të Dvoranit.

Alban Toro tha se këshilli duhet të konstatojë mbarimin e detyrimit të Dvoranit për të qëndruar në Gjykatën e Lartë.

Nga ana tjetër Brikena Ukperaj deklaroi në asnjë dispozitë nuk gjen parashikim të tillë, që zoti Dvorani do të zëvendësohet nga anëtari i parë, i dytë apo i tretë. Sipas saj, detyrimi i Dvoranit për të ndërprerë detyrën është kur vjen anëtari i katërt.

Ajo tha se detyrimi i zotit Dvorani për të qëndruar në Gjykatën e Lartë nuk ka mbaruar por mbaron në momentin e zgjidhjes së anëtarit të katërt, që vjen nga radhët e juristëve të spikatur.

Brunilda Kadi tha se që në datën 13 mars, në momentin që është betuar gjyqtari i parë, përpara Presidentit zotit Dvoranit i ka mbaruar jo detyrimi, por e drejta dhe mundësia që të qëndrojë në detyrë dhe ai nuk mund ta ushtrojë këtë detyrë.

“Të drejtën për t’u caktuar në një pozicion apeli mendoj që e kanë vetëm ata që i plotësojnë kriteret për te qenë në atë pozicion. Unë do të kërkojë që të verifikohen edhe kriteret nëse ai i plotëson për një pozicion në Apel”, tha Kadi.

Erjon Muharremaj deklaroi se në kushtet kur janë emëruar 3 gjyqtarë, Dvorani e ka përmbushur detyrimin e tij për të qëndruar në detyrë. Sipas tij, KLGJ duhet t’i ofrojë mundësi që t’i ofrojë një pozicion në nivel Apeli.

Ilir Toska tha se duke vlerësuar se qëndrimi në detyrë i Dvoranit, ka qenë i përligjur deri më tani, vijimi i qëndrimit të tij nuk mund të justifikohet.

EURALIUS dhe USAID iu përgjigjën KLGJ-së duke i thënë rast individual, i takon vetë KLGJ-së ta zgjidhë dhe të marrë vendim për Dvoranin.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb