TIRANE– Ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka nisur procedurat për të paditur në Gjykatë për shpifje kreun e LIBRA-s, Ben Blushi. Nikolla e akuzon deputetin Blushi për shpifje ndaj saj, duke u shprehur e vendosur për ta ndjekur çështjen në rrugë gjyqësore.

“Nuk do t’i ndahem këtij shpifaraku profesionist. Blushi do marrë dënimin e merituar në gjykatë. U bë e disata herë që Ben Blushi më sulmon paturpësisht. Kam vendosur ta ndjek deri në fund në rrugë gjyqësore”, shprehet Nikolla.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Nikolla thotë se beson që “Blushi të marrë dënimin e merituar në gjykatë”.

POSTIMI I PLOTE
Dua t’ju bëj me dije se sot kam nisur procedurën e padisë për shpifje për Ben Blushin. Nuk do t’i ndahem këtij shpifaraku profesionist, derisa ai të marrë dënimin e merituar në gjykatë. U bë e disata herë që njeriu më parazit që kam njohur në jetën time, më sulmon paturpësisht me gojën e tij të shthurur nga ligësia e mediokritetit.

Një karrierist i llastuar nga jeta, që tri herë u bë ministër dhe tri herë u largua nga detyra pa bërë asnjë punë, nuk mund të shitet sot si politikë e re, pas 20 vitesh në korridoret e pushtetit. Një personazh i pangopur, që i kërkonte ministrave “mediokër” të Edi Ramës, favore.

Kur ky njeri e pa që nuk i’u hapën dyert për çudirat që kërkonte, me ngulmin e njeriut parimor, filloi sulmin e mllefit kundër Edi Ramës dhe ministrave “mediokër”. Kam vendosur ta ndjek deri në fund në rrugë gjyqësore këtë njeri që sot e gjithë kohën do të mbahet mend në Ministrinë e Arsimit, si ministri i arrogancës dhe asgjësë.

Ky gojëlig që shantazhonte kolegët për të nxjerrë, siç e quan edhe vetë pa pikën e turpit, fitimet nga aksionet e veta politike, nuk mund të jetë destinacion për besimin e votuesve që nuk e njohin. Ky njeri ka krijuar partinë e vogël fitimprurëse të radhës, duke premtuar Republikën e Re. Ky farë burri, pa din e iman, meriton jo vetëm që të mos i jepet asnjë votë, por, gjithashtu, edhe dënim për shpifjet e tij për shkak të detyrës.

Demaskimi i këtij paraziti ekzemplar të jetës publike është një detyrim ndaj të gjithë atyre qytetarëve që njësoj si ne, kur nuk e njohin se çfarë marifetçiu i paskrupullt është, mund të bien pre e shpellës së errët të gojës së tij të ligë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb