TIRANE- Deputeti i LSI-së, Gledjon Rehovica ka reaguar për herë të parë pas kërkesës së Prokurorisë për heqjen e mandatit, pasi sipas organit të akuzës rezultonte të ishte dënuar për vjedhje në Itali, vepër të cilën nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Ai thotë se po gjykohet dhe kryqëzohet për një vepër që nuk e ka kryer dhe se është gati të përballet me gjithçka.

Ai shton se nuk është hetuar, gjykuar apo është marrë ndonjë masë brenda dhe jashtë territorit ndaj tij, gjë të cilën e vërteton me dokumente dhe dëshmi të lëshuara nga gjykata, prokuroria dhe policia e shtetit italian.

REAGIMI I PLOTE
Ka dy vjet që fryhet dhe mbarset opinioni publik me shpifje nga më banalet të ushqyera nga media, politika dhe deri te institucionet publike të pavarura. Deri tani i kam toleruar dhe justifikuar ndaj vetes dhe familjes që janë të ushqyera politikisht. Sot, jemi në një rast ku po gjykohem dhe kryqëzohem për një vepër jo të kryer. Lehtësisht dhe botërisht e provuar se nuk ka pasur asnjë rast për t’u hetuar, gjykuar apo marrë masë brenda dhe jashtë territorit ndaj meje, gjë të cilën e vërtetoj me dokumente dhe dëshmi të lëshuara nga gjykata, prokuroria dhe policia e shtetit italian.

E gjitha kjo është vetëm një lojë e pisët e nisur prej kohësh me hamendësime, akuza dhe lajme të pavërteta në media me qëllim luftën politike dhe përbaltjen time personale.

Nuk ka pasur asnjëherë dyshim lidhur me përfshirjen time për aktivitete apo veprime kriminale që nënkupton se nuk ka pasur asnjeherë as brenda dhe as jashtë territorit të Republikës hetim, gjykim apo dënim ndaj meje. Kjo është lehtësisht e provuar nga qëndrimet zyrtare të certifikuara nga institucionet kompetente italiane.

Integriteti dhe origjina ime nuk mund të përdhoset dhe nëpërkëmbet nga askush e aq më pak nga institucionet që duhet të jenë garant për zbatimin e ligjit.

Kam qenë dhe jam totalisht i përgjegjshëm për çfarë kam bërë dhe për çfarë nuk kam bërë dhe do t’i kundërpërgjigjem çdo akuze absurde.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: