TIRANË- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi të mbajë sërish në qelitë e paraburgimit, ish-drejtorin e menaxhimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, Albenc Alite, i dyshuar për korrupsion.

Ai kërkoi lirimin nga burgu me argumentin se ka përfunduar afati 6 mujor i paraburgimit dhe se mbahet padrejtësisht në izolim, për sa kohë që prokuroria nuk ka veprime të tjera hetimore për të kryer. Por shkalla e dytë e gjyqësorit nuk e mori në konsiderate këtë kërkesë të ish-zyrtarit të lartë.

Po ashtu Apeli nuk doli me një vendim as për kërkesën e dytë të Alenc Alites, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimit të prokurorisë, për zgjatjen e afateve të hetimit edhe për tre muaj të tjera. Trupa gjykuese e pa të nevojshme të administronte dosjen hetimore e më pas të vendoste nëse pretendimet e Alites ishin ose jo të drejta.

Ndërkohë, me 31 gusht përpara trupës gjykuese në Apelin e Krimeve të Rënda pritet të dalë Dashamir Xhika, ish-drejtor i autoritetit rrugor shqiptar, gjithashtu i dyshuar për korrupsion me fondet e rrugës Tiranë-Elbasan. Ish zyrtari i lartë prej disa javësh i ka lënë qelitë e paraburgimit dhe me vendimin të gjykatës për Krime të Rënda, ndodhet nën masën e arrestit në shtëpi. Prokuroria e ankimoi vendimin e shkallës së parë dhe këmbëngul për rikthimin e tij në burg.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb