Është vetëdorëzuar në këto momente në polici edhe autori i tretë i dyshuar i ngjarjes ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy kushërinjtë nga Laçi, Kelvin dhe Erjon Jushi. Policia thotë se autori i tretë i dyshuar për ngjarjen është shtetasi Manuel Bushi 23 vjeç banues në Laç. Më herët në polici u vetëdorëzuan Markel Bushi si dhe kushëriri i tyre, Vincent Bushi.

Sipas policisë, vrasja ndodhi për motive banale pas një konflikti të çastit.

Personazhet e përfshira në këtë vrasje të dyfishtë tregojnë se kjo ngjarje nuk ishte krejt e papritur. Bëhet fjalë për persona me precedentë penalë, madje edhe në kërkim nga policia, që lëviznin të armatosur dhe frekuentonin lokale në qendër të qytetit dhe shumë pranë komisariatit. 25-vjeçari Markel Bushi është person me precedentë penalë dhe në kërkim nga policia që në vitin 2013 pasi akuzohet për grabitje me armë.

Në vitin 2012 ai së bashku me një person tjetër kanë sulmuar me arme disa vajza dhe i kanë grabitur. Për këtë ngjarje ai u arrestua nga policia dhe mundi të arratisej disa muaj më vonë nga burgu dhe u dënua në mungesë nga gjykata me 9 vite burg. Policia ka tentuar edhe në 2013 ta arrestojë sërish por ai i është kundërpërgjigjur me armë dhe ka mundur t’i shpëtojë prangave.

Me precedentë penalë është edhe autori tjetër i dyshuar 28 vjeçari Vinçens Bushi. Ai ka qenë i arrestuar dhe dënuar në 2017 për armëmbajtje pa leje, ndërsa është liruar nga drejtësia me shërbim prove. Fillimisht ai u dënua me 6 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul masa në 1/3 dhe 2 vitet që i mbetën iu lanë në shërbim prove. Bashkia Kurbin dërgoi në gjykatë një letër me arsyetimin se Pali ka sjellje të mirë në komunitet.

NGJARJA
Sherri verbal për motive të dobëta nisi brenda ambienteve të një lokali mes kushërinjve Kelvin dhe Erjon Jushi me Manuel Bushin. Ky i fundit më pas ka thirrur edhe vëllain e madh me kushëririn të cilët erdhën në lokal të armatosur. Kushërinjtë Jushi tentuan t’i shmangen përplasjes me armë dhe dolën në rrugë por nuk mundën t’i shmangeshin breshërisë së plumbave. Ata mbetën të plagosur dhe u transportuan në Tiranë për ndihmë mjekësore por nuk mundën tu mbijetonin plageve të marra. 30-vjecari Kelvin Jushi është një personazh i njohur në Laç pasi në periudhën 2009-2014 ka qenë futbollist me ekipet e Laçit, Kastriotit dhe Mamurrasit.

NJOFTIMI I POLICISE
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë ju informojmë se:

Si rezultat i punës hetimore të kryer nga grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Policia në vijim dhe pa ndërprerë ushtroi kontrolle të shumta dhe përdori metodat speciale të hetimit për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Njëkohësisht Grupi i posaçëm hetimor negocioi me familjarët e autorëve të dyshuar që ata të dorëzoheshin organeve të drejtësisë.
Dy nga autorët e dyshuar, shtetasit M. B., 25 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të dy lindur e banues në Kurbin, pas negociatave me familjarët, janë vetë dorëzuar në Polici.
Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentin e plotë të kësaj ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
VIJON

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb