TIRANE-Burg përjetë për Sadetin Sulën, biznesmeni nga Shkodra i cili akuzohet se vrau bashkëshorten e tij. Vendimi në fjalë u dha nga Gjykata për Krimet e Rënda. Sula vrau gruan e tij Suela Sulës tre vite më parë në Shkodër, në mobilierinë e tyre, pasi kjo e fundit nuk i bindej.

 

Vrasja, që u cilësua më parë si vetëvrasje, është kryer nga Fatjon Karameshtna me urdhër të Sadetin Sulës. Biznesmeni i frikësohej divorcit për përgjysmimin e pasurisë dhe akuzonte bashkëshorten për tradhti. Përgjimet e kryera para vrasjes nga vetë viktima, treguan se si Sadetin Sula dhe ish-punonjësi i tij planifikuan çdo gjë.

 

Në një seancë gjyqësore para togave të zeza u publikuan disa përgjime ku 45-vjeçari fliste për magji ndaj viktimës dhe në një moment, Sadetini shprehej se më mirë e mbyste me duart e tij, sesa ta lejonte Suela Sulën t’i merrte gjysmën e pasurisë. Teksa i ankohej për faktin se gruaja nuk i nënshtrohej, Karmeshta i shprehej Sadetinit se këtë punë do ta rregullonte ai. Fationi i shprehej se ‘do ta nënshtroj gruan tënde duke i bërë magji’. Madje ai i kërkoi para në këmbim që gruaja t’i nënshtrohej.

 

PËRGJIMET

Debatet në çift në lidhje me atësinë e fëmijës së tretë

Suela Sula: Të kam thënë shumë herë që të shkojmë në gjykatë për këtë punë. Le të bëjmë analizat e ADN-së.

Sadetin Sula: Po, do shkojmë.(Ndërkohë i merr telefonin)

Suela Sula: Mos më fshi incizimet!

Sadetin Sula: Të më çosh në gjykatë me këtë…

Suela Sula: Më jep telefonin. Merrja pak telefonin babit!(i drejtohet djalit)

Djali: Po ma jep mor burrë. I pandehuri nuk ia kthen telefonin viktimës dhe e fut në xhep, ndërkohë që telefoni vazhdon të incizojë pa dijeninë e tij. Sërish konflikt në shtëpi, Sula e dëgjon duke folur me dikë në telefon dhe dyshon se është avokati. Ndërsa ai është duke e pyetur në lidhje me divorcin.

Suela Sula: Me kë je duke folur? Me avokatin je duke folur? Po e pyet se çfarë të bësh në lidhje me divorcin. Unë e njoha në zë, e di që është ai. Por nuk kemi për të shkuar kur të duash ti. Do shkojmë në gjykatë.

Sadetin Sula: Nuk të duhet kjo pjesë.

Suela Sula: Ku po shkon?

Sadetin Sula: Nuk e di.

Suela Sula: Si nuk e ditke ti more! Jam e lodhur. Kemi pothuajse dy vjet që kemi probleme. Gjatë gjithë bisedës që vijon dëgjohen fjalët fyese të të pandehurit, që i drejtohen viktimës në lidhje me tradhtinë e dyshuar. Pasi futi telefonin në xhep, i pandehuri takon një person që identifikohet me emrin Fatjon (Karameshtna). Ndërsa gjatë bisedës dëgjohet që i pandehuri sjelljen e bashkëshortes e konsideron mistike dhe i kërkon shtetasit të identifikuar si Fatjoni t’i bëjë magji.

Sadetin Sula: Nuk e kam hiç mirë marrëdhënien me Suelën.

Fatjon Karameshtna: A do të shkosh në gjykatë me Suelën?

Sadetin Sula: Jo nuk kemi shkuar, duhet të bëjmë diçka në lidhje me këtë. Nuk e kuptoj se pse sillet ashtu.

Fatjon Karameshtna: Do ta rregullojmë. Kam folur me një person që i mbyll këto muhabete. I thashë që për çdo gjë do të kontaktosh me mua.

Sadetin Sula: Do flasësh me numrin që të kam dhënë unë.

Fatjon Karameshtna: Po e kam regjistruar.

Sadetin Sula: Aty flasim më lirshëm.(Sipas prokurorit i pandehuri ka frikë mos përgjohet) I pandehuri me shtetasin e identifikuar si Fatjon Karmeshtna udhë- tojnë me makinë drejt Tiranës për të blerë dy qypa për magjinë. Gjatë kësaj kohe, ai i tregon Fatjonit se gruaja e kërcënon me gjykatë.

Fatjon Karameshtna: Me këtë që do të bëjmë do ta hedhim në shtrat. Sado e pashë vetë si ishte bërë. I fola atij personit dhe është e bërë më tha.

Sadetin Sula: Aishja(e ëma e Suelës) i bën të gjitha pisllëqet, ajo i bën. Ndërsa Suela ka marrë të gjitha karakteristikat e së ëmës.

Fatjon Karameshtna: Keni folur këto kohë?

Sadetin Sula: Nuk kemi shkuar mirë jo, nuk kemi folur. Kur nuk do ajo, pse të ulem unë?!

Magjia e supozuar: Në dy qypa do të hidheshin gjilpëra dhe mëlçi derri, më pas do të vendoseshin në shtëpi… Rezultati që prisnin nga magjia nuk po arrihej, sipas të pandehurve.

Fatjon Karameshtna: Unë i kam bërë të gjitha …

Sadetin Sula: Nuk je duke bërë gjë në lidhje me ato që të thashë. Ke marrë gjithë ato lekë dhe nuk ke bërë asnjë punë. Ajo i bën të gjitha. (I referohet nënës së Suelës.)

Fatjon Karameshtna: Ato të bëjnë të vetën, ne do bëjmë tonën.

Sadetin Sula: Edhe këtë herë na ka mbet, pastaj t’i bëj r**, të marr pistoletën ta vras. Më mirë ta mbys se të më mbysë. Dy duar për një krye janë. Kjo është e fundit, hera e fundit. Nuk kemi më çfarë të bëjmë.

Fatjon Karameshtna: Këtë herë kam me e blloku. Me e rrëzu në tokë.

Sadetin Sula: Deri sa t’i kryej r**, ose ka me më mbyt, ose do ta mbys.

Fatjon Karameshtna: Po shkove në gjykatë, ajo të merr gjysmën e pasurisë.

Sadetin Sula: Më merr gjysmën dhe mos më shumë. Më merr edhe fëmijët. Nuk e lë të shkoj atje. Më mirë e mbys, se ta lë të shkojë atje.

Fatjoni Karameshtna: Ajo ankohet për mua, thotë që ai magjupi m’i bën të gjitha. Po ça i kam bërë unë o dajë?! Këtë punë e bëjmë ose unë, ose ti. Kurrkush tjetër nuk e bën. Zënka në shtëpinë e çiftit, në praninë e fëmijëve.

Suela Sula: Këtë dhunë që po bën në shtëpi, unë mund të marr doktorin.

Sadetin Sula: Trego me kë e bërë atë kopilin, me dashnorin?

Suela Sula: Më thuaj emrin e dashnorit tim, meqë e ke të sigurt.

Sadetin Sula: Atë s’e them unë, atë do ta them në gjykatë.

Suela Sula: Shkojmë në gjykatë pra. Por këtë herë mos më dil nga fjala si herët e tjera. Se unë këtë dhunë psikologjike nuk e duroj më. Madje, analizën do ta bëjmë për të tre fëmijët, mos të dalësh pas disa kohësh të më thuash se edhe të tjerët janë të dikujt tjetër.

NGJARJA
Viktima u gjet e pajetë më 18 prill të vitit 2016, në orën 12:30, në fshatin Melgushë të Shkodrës. Trupi i Suela Sulës gjet në tualetin e mobilierisë, në të cilën viktima ishte bashkëpronare. Ajo ishte shoqëruar në punë nga bashkëshorti i saj, Sadetin Sula, i cili më pas është kthyer në qytetin e Shkodrës. Si fillim rasti ishte konsideruar si vetëvrasje, por ekspertët mjekoligjorë arritën në konkluzionin se ajo ishte mbytur me duar nga një person. Më datën 7 prill 2017, nën akuzë u vu Sadetin Sula, i cili akuzohet për “vrasje me dashje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Motivi i vrasjes dyshohet se ka qenë xhelozia. Por në zbulimin e mënyrës se si u krye krimi ndihmuan tabulatet telefonike. Nga to rezultoi se Sadetin Sula fliste shpesh me punëtorin Karmeshtna për gruan e tij dhe xhelozinë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb