Partia Demokratike ka zgjedhur sot kryetarin e ri. Në krye të PD-së është zgjedhur Lulzim Basha me 16 196 vota.

Në një komunikim për mediat, Jemin Gjana deklaroi se Komisioni hartoi procesverbalin e rezultatit përfundimtar, dhe bazuar në të dhënat e votimeve në 71 degët e PD, rezultoi se kanë marrë pjesë në votime 18.052 anëtarë të PD, në raport me listën e miratuar.

“Nga 18.052 anëtarë që kanë marrë pjesë në votim, janë gjetur 18.052 fletë votimi në kuti. Të pavlefshme kanë rezultuar 199. Komisioni Elektoral deklaron fitues të zgjedhje për kryetar zotin Lulzim Basha”, tha më tej Gjana.

Ndërkohë Gjergji Hani i cili ishte në garë me Lulzim Bashën ka marrë vetëm 1657 vota.

Më herët*

Gazetari Osman Stafa në një raportim live nga selia blu, pohoi se ky procesi i zgjedhjeve ka vijuar i qetë.

“Kush nuk e ka emrin në listë, regjistrohen në një tjetër procesverbal. Ata do të identifikohen me kartën e anëtarësimit në PD.”, tha gazetari. Sipas komisioneres së qendrës së votimit nr.5 dhe 10, kur demokratët e kanë emrin në listë, identifikimi bëhet përmes kartës së identitetit.

“Shënojmë emër, mbiemër dhe identifikim përmes kartës së identitetit dhe me kartën e anëtarësisë.”, tha për News24 një prej komisionereve.

Grupi i demokratëve që mban vulën e PD-së ka hartuar një listë të re të anëtarëve të partisë ku janë përfshirë 25 mijë demokratë, krahasuar me 75 mijë anëtarë që ka pasur kjo parti në qershorin e vitit 2021 kur Lulzim Basha mori mandatin e tretë në krye të partisë. Këtë herë kundër Lulzim Bashës janë rreshtuar përveç Sali Berishës dhe demokratëve që e mbështesin edhe sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi dhe 15 deputetë.

Bardhi dy ditë më parë mblodhi Këshillin Kombëtar dhe vendosi anulimin e zgjedhjeve të së shtunës. Por, kreu i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana shprehet se gjithçka është gati për ditën e sotme.Por, grupimi i Gazment Bardhit nuk u ndal me kaq, por kërkoi në gjykatë çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së. Kjo lëvizje erdhi një ditë para zgjedhjeve. Ish-kreu i PD-së, i cili u rikthye pas disa muajsh në politikë pas dorëheqjes nga posti i kryetarit, në daljet e tij publike dhe gjatë takimeve me demokratët i ka mëshuar shumë disa planeve që ai ka synim që t’i zbatojë si parti, siç është vettingu në politikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: