Policia zbardh detaje nga aksidenti tragjik në aksin Elbasan-Librazhd, ku një makinë përfundoi në lumin Shkumbin e për pasojë humbën tragjikisht jetën tre persona.

Policia njofton se ka nxjerrë nga lumi tre trupat e pajetë të shtetasve E. K., 52 vjeç, E. K., 34 vjeçe dhe E. S., 18 vjeç, pas disa orësh ndërhyrje nga zjarrfikësit dhe efektivët.

Njoftimi zyrtar nga Policia Elbasan

Më datë 01.02.2022, rreth orës 09:10, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin S. GJ., 32 vjeç, banues në fshatin Floq, Librazhd, është përplasur me mjetin tip “Benz”, i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Shkumbin.

Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, bashkë me shërbimet e zjarrfikëses.

Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë shtetasit A. H., rreth 20 vjeçe dhe E. K., rreth 10 vjeç, të cilat janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjeksore.

Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe të punonjësve të Policisë, në kushte shumë të vështira, pas disa orësh u bë e mundur që të nxirren pa jetë nga mjeti që kishte rënë në mes të lumit, shtetasit E. K., 52 vjeç, E. K., 34 vjeçe dhe E. S., 18 vjeç.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb