KORÇË

Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit Flamur Duçi në Korçë.  Burime zyrtare bëjnë me dije se është ndaluar 18-vjeçari Devis Hoti, banues në fshatin Mborje, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se autori kishte lidhje farefisnore me viktimën, ndërkohë që figuron me precedentë penalë edhe pse në moshë shumë të re.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 19.12.2019, ku në fshatin Mborje, pranë banesës dhe dyqanit të tij u gjet i vrarë shtetasi Flamur Duçi , 48 vjeç, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes shtetasit Devis Hoti, 18 vjeç, banues në fshatin Mborje, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, thuhet në deklaratën e policisë.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, bazuar në hetimet e kryera në lidhje me ngjarjen e mësipërme, ka urdhëruar ndalimin e këtij shtetasi pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Vrasja me dashje”.

Vijojnë hetimet për sqarimin e mëtejshëm, dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb