ITALI- Një trup i pajetë i gjetur më 6 nëntor pranë një shkëmbi në Castros, në bregdetin e Leçes në Itali dyshohet se i përket avokatit shqiptar Besnik Muço i zhdukur që më 2 nëntor teksa udhëtonte me traget nga Shqipëria drejt Italisë.

Këto dyshime janë artikuluar dje nga autoritetet italiane, të cilat thonë se trupi i pajetë i gjetur 12 ditë më parë mund t’i përkasë avokatit shqiptar me nënshtetësi italiane. Prokuroria e Maceratas ka kërkuar analizën e ADN-së për kufomën, raporton “BalkanWeb”.

Për 15 vjet avokati kishte jetuar në Macerata, aty ku ndodhen sot gruaja dhe dy fëmijët. Pikërisht gruaja e tij kishte denoncuar zhdukjen e të shoqit tek karabinierët e Maceratas. Në Shqipëri ndërkohë është hapur një hetim për rrëmbim personi.

Ajo që dihet deri tani është se më 2 nëntor avokati ka hipur në tragetin e linjës Adria Ferries që nisej nga Durrësi për të shkuar në Bari. Ai ka hipur në traget por pas orës 23:00 celulari i tij ishte i fikur. Që nga ai moment askush nuk ka arritur të kontaktojë me të. Nga ajo që është zbuluar më pas, gruaja e tij Raimonda që jeton në Macerata nuk e dinte që burri i saj do të kthehej atë ditë dhe as e imagjinonte se kishte marrë tragetin pasi zakonisht udhëtonte me aeroplan.

Hetimet në Shqipëri për zhdukjen e avokatit
Për zhdukjen e tij pati dy denoncime, një nga bashkëshortja e tij Raimonda në Itali dhe i dyti nga i vëllai në Durrës. Për rastin në fjalë 4 ditë më parë edhe Prokuroria nisi hetimet për veprën penale “rrëmbim personi”.

Në referimin e veprës penale në Prokuroi, OPGJ shkruan se është vënë në dijeni për largimin nga banesa të shtetasi Besnik Muço më datë 10 nënëtor, ditë kur ka bërë kallëzim vëllai i avokatit Viktor Muço.

Punonjësit e tragetit me të cilin udhëtonte avokati Muço kanë shpjeguar se më datë 3 nëntor kur trageti është ankoruar në Bari të Italisë në sallë kanë gjetur një xhup dhe një çantë krahu. Nga këqyrja e çantës është konstatuar dokumente në emër të shtetasit Besnik Muço, me shtetësi italiane dhe kombësi shqiptare.

OPGJ se bashku me specialistin e Policisë Shkencore është shkuar në tragetin e mësipërm ku është këqyrur salla në katin e tetë të tragetit ku janë gjendur xhupi dhe çanta e shtetasi Besnik Muço. Nga këqyrja e xhupit dhe çantës, në zyrën e kapitenit të tragetit është konstatuar një kartë identiteti italiane në emër të shtetasi Besnik Muço, një biletë e datës 2 nëntor ora 20:11, kartë shëndeti italiane në emër të shtetasi Besnik Muço, karta kodicifiskale në emër të shtetasit Besnik Muço etj.

Avokati Muço më parë ka punuar në organet e drejtësisë dhe deri në vitin 1997 ka qenë me detyrë Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë trazirave të marsit 1997, ai bashkë me gruan dhe djalin u larguan në Itali duke u vendosur në provincën e Maçeratas, 50 km larg Ankonas.

Deri para 4 viteve avokati ka qenë në Itali, por më pas u kthye në Shqipëri pas humbjes së punës pasi ndërmarrja ku punonte u mbyll. Ai u kthye i vetëm, ndërsa gruaja me dy fëmijët tashmë qëndruan në Itali. Ai jetonte prej një viti me qira dhe ushtronte aktivitetin e tij si avokat përballë Prokurorisë së Tiranës bashkë me një person tjetër.

Për të ndarë më shumë kohë më familjen ai udhëtonte të paktën dy herë në muaj nga porti i Durrësit në Bari për të shkuar në Macerata, aty ku edhe jetonte familja.

Në bisedën e fundit që kishte bërë me vëllain, Muço nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim të dukshëm, thjesht e kishte informuar se do shkonte disa ditë të qëndronte pranë familjes, ashtu si edhe herët e tjera.

Sipas vëllait, avokati dyshohet të jetë nisur rreth orës 23:00 nga porti i Durrësit, ndërsa celulari i tij ka qenë i fikur që pas atij momenti.

Cfarë shkruanin mediat italiane më 7 nëntor për kufomën e gjetur
Kufoma e gjetur pranë shkëmbit të Castros, e sjellë nga kushedi se ku nga rrymat e detit. Për shkak të forcës së dallgëve, nga dje pasdite dhe deri sot vonë në mëngjes, ishte e pamundur të nxirrej trupi i pajetë. Për më tepër për shkak të përplasjes së fortë nga dallgët në shkëmbinj, kufoma është dëmtuar.

A ka lidhje mes drogës së gjetur dhe trupit të pajetë? Autoritetet kanë përjashtuar mundësinë që kufoma të jetë e një banori të Salentos. Nuk ka denoncime për zhdukje, por gjithsesi kufoma ka qëndruar gjatë në det.

(m.k/m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb