Luan Daci, anëtar i Kolegjit të Posaçem të Apelimit, është paraqitur këtë të enjte në SPAK, ku u njoh me akuzën për falsifikim dokumentesh. Në praninë e avokatëve të tij, gjyqtari Luan Daci ka dhënë shpjegime në cilësinë e personit të pandehur. Sipas hetimeve të SPAK, Daci kishte paraqitur të dhëna të rreme, duke mbajtur të fshehtë masën disiplinore të largimit nga detyra në vitin 1997. Daci ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës në vitet 1994-1997, kur sipas SPAK u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë së kohës për “shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”.

Fshehja e këtij fakti nuk e pengoi Dacin të kalonte filtrat e verifikimit në vitin 2017, fillimisht në institucionin e Avokatit të Popullit dhe më pas në Komisionin Ad Hoc të ngritur në Kuvend për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të vetingut.

Në përfundim të seancës në SPAK, avokatët mbrojtës Andi Duraj dhe Jordan Daci bënë të ditur se i qëndruan pretendimit se nuk kemi të bëjmë me një vepër penale.

Më herët, një masë sigurie për pezullimin nga detyra të Dacit u rrëzua nga trupa gjyqësore e Apelit. Apeli argumentoi se paraqitja e të dhënave të rreme gjatë procesit të aplikimin për një post në institucionet e vetingut nuk ka elementë të veprës penale të falsifikimit. Prokuroria e Posaçme i konsideroi argumentet e Apelit si sipërfaqësore dhe në kundërshtim me parashikimet ligjore për veprën e “falsifikimit të dokumenteve” – pa analizuar deklarimet e rreme të bëra prej tij. Por sipas perfaqesueve ligjore te luan dacit, as KPA dhe asnjë institucion tjetër nuk mund të pezullojë nga detyra gjyqtarin, për sa kohë ka një veprim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.

Ligji parashikon që Kolegji i Posacëm i Apelimit duhet të mblidhet për ta shqyrtuar cështjen e Luan Dacit në një seancë plenare dhe do të duhet të vendosë për fatin e anëtarit të saj.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb