News 24 dhe BalkanWeb zbardhin emrat e 11 anëtarëve të grupit të dyshuar kriminal të drejtuar nga Jetmir Pepaj që mban edhe mbiemrin Marashi.

Jetmir Pepaj, 34-vjeçar nuk është i vetmi nga familja që akuzohet për trafik kokaine, grup kriminal dhe pastrim parasgh, por në kërkim është shpallur edhe vëllai i tij, Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj, 38-vjeç.

Vëllai tjetër, por me i madhi nga djemtë, Lulzim Pepa 52-vjecar është vënë në pranga dhe të premten iu komunikua madsa e arrestit me burg.

Nga 11 urdhër arreste që u firmosën nga prokurori Alfred Shehu, vetëm 3 prej të dyshuarve përfunduan në pranga, të tjerë janë në arrati.

Grupi kriminal u godit nga SPAK pak ditë më parë, pasi nga hetimi më shumë se një vjecar rezultoi se përgjatë 2019-2021 kanë trafikuar 7.5 ton nga Ekuadori dhe Peruja drejt Belgjikës dhe Holandës, vende ku ata zhvillonin aktivitetin e paligjshëm.

Hetimet zbuluan se grupi në fjalë, ishte përfshirë dhe në pastrim parash dhe përkëtë shkak SPAK sekuestroi kompaninë PEPA Group dhe pasuri të tjera me vlerë 12 milionë euro.

Referuar të dhënave të OPEN Data, kompania Pepa Group ka fituar të paktën 12 tendera pranë bashkive të ndryshme, ndërsa bashkë me kompani të tjera, ka fituar tendera për projektin e rindërtimit në miliona euro.

Anëtarët e dyshuar të grupit kriminal

të drejtuar nga Jetmir Pepaj alias Jetmir Marashi:

Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj

Jetmir Pepaj alias Jetmir Marashi

Albert Pjetri

Fatjon Marku

Anton Marku alias Anton Tamure

Florjan Vuka alias Vathaj

Kristjan Lleshi

Klevi Leka

Lulzim Pepa

Anton Kola

Ilir Lazri

Njoftimi i SPAK

8 episodet e trafikut të lëndëve narkotike

Episodi 1 – Janar- Mars 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike kokainë gjatë periudhës Janar-mars 2020. Nga kjo sasi, më 21.03.2020 u sekuestrua një sasi prej 8.5 kg në qytetin e Amsterdamit të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 2 –   7-8 Prill 2020 –  Trafikimi i një sasie prej 1,018 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Peruja drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije kolumbiane ndërsa lënda narkotike ishte fshehur në një enë frigoriferike që përmbante lëng frutash të ngrira. Vlera e shitjes ishte mbi 1.3 milionë euro.

Episodi 3 – 6 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 2020 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador dhe ishte e destinuar për një kompani në Hungari. Një pjesë e kësaj ngarkese i përkiste këtij grupi kriminal.

Episodi 4 – 26 Qershor 2020 –  Tentativa e trafikimit të një sasie prej 516 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Terminalin Portual Muelle Sur, DP World Callao, Peru, si dhe e destinuar për në Mbretërinë e Hollandës.

Episodi 5  – 30 Qershor 2020 –  Trafikimi i një sasie prej 500 kg lënde narkotike kokainë më, e sekuestruar në Portin e Roterdamit, që kishte ardhur në një kontejner nga Kolumbia që përmbante konserva me peshk ton dhe ishte i destinuar për një kompani në Gjermani.

Episodi 6  –  7 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë, e llogaritur në rreth 1600 kg, prej së cilës është sekuestruar një sasi prej 104 kg po në të njëjtën datë në autostradën nr A2 pranë qytetit Abcoude të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 7 –  16 Gusht 2020 –  Trafikimi i një sasie rreth 1100 pako me peshë bruto 1238,39 kg lënde narkotike kokainë, e cila ishte ishte fshehur në një ngarkesë me banane në një kontenier që vinte nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit në Hollandë dhe kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare e ardhur nga Porti i Antwerp, e destinuar për një kompani në Hagë.

Episodi 8 – 1 –  2 Tetor 2020 –  Trafikimi i një sasie prej  531 kg lënde narkotike kokainë në Portin e Roterdamit, Hollandë, sasi e cila është kapur nga autoritetet holandeze, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.

Me vendimin nr.273, datë 14.4.2026, bazuar në nenin 274 të Kodit të Proçedurës Penale GjKKO ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të drejtëpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim, konkretisht ndaj pasurive:

Sekuestrimet (në vlerën 12 milionë euro)

Pasuritë e Shoqërisë “P… GROUP”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Kuotat e Shoqërisë “HEC A…I”, sh.p.k, me seli qendrore në Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz në masën 33.30 % , të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

Kuotat e Shoqërisë “B….V”, sh.p.k, me seli qendrore në Lezhë, fshati Fang, Rubik, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

Kuotat e Shoqërisë “Sh……i 2013”, sh.p.k, me seli qendrore në Shëngjin, Lezhë, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut L.P.

Pasuritë e Shoqërisë “O….. Hotel”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Pasuritë e Shoqërisë “M….. N… A………”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Pasuritë e Shoqërisë “E…… AL”, sh.p.k, me seli qendrore në Ishull-Shëngjin Lezhë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.

89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura).

72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.

Më 15 prill 2026, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre aseteve në zyrat e regjistrimit dhe në bankat e nivelit të dytë.

SPAK falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara për bashkëpunimin e ngushtë në ekzekutimin e masave të sigurisë.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb