Ish-drejtuesi i Policisë, Shemsi Prençi, tregoi detaje nga arrestimi i Ergys Agasit, i cili prej 8 muajsh ishte në arrati.
Prençi në emisionin “Kjo Javë” në News24 deklaroi se Agasi lëvizte i lirë nën shoqërinë e strukturave të SHISH dhe se gjatë arrestimit ka kërcënuar punonjësit e Policisë dhe të BKH-së.
Ai foli gjithashtu për shkarkimin e ish-ministrit të Brendshëm, Sandër Lamallari, duke pretenduar se ai nuk kishte marrë në kohë informacionin për operacionin ndaj Agasit. Sipas Prençit, biznesmeni në kërkim kishte krijuar një komunikim të shpeshtë me drejtuesen e atëhershme të SHISH, Vlora Hyseni.
“Edhe shkarkimi i Lamallarit si ministër i Brendshëm ishte i papritur dhe erdhi për mosmarrje në kohën e duhur të informacionit për arrestimin e Agasit. Strukturat e SPAK dhe BKH kanë pasur urdhër gjatë monitorimit, agjentët në mbulim s’kanë qenë të policisë. Ata kanë gjetur dhe gjurmuar mjetin me të cilin lëvizte Agasi. Kishin të dhëna se kishte shkuar me makinë në takim me Dhërmi. Kishte shkuar me targa të improvizuara të SPAK. Ndihmën e policisë e kërkuan si objekt, jo si person. Kur e kërkuan këtë sqarim, kreu i policisë është kontaktuar drejtpërdrejt, jo duke folur dhe i është thënë; kjo nuk duhet folur se pas nesh ka të tjerë. Në momente të arrestimit Agasi i ka fyer dhe kërcënuar punonjësit e policisë dhe BKH. I ka fyer dhe kërcënuar; “Kush jeni ju?”, i ka thënë. Nuk ka pasur miratim nga askush nga qeveria për arrestimin e tij. Ai lëvizte me mbrojtjen e SHISH. Fakti që brenda 2 muajsh kishte 520 komunikime me shefen e Shërbimit, tregon se kishte marrë fuqi.”, tha ai.
