Me dhimbje, familja, miqtë dhe e gjithë shoqëria shqiptare kanë marrë lajmin e ndarjes nga jeta të Artan Lames,i cili u nda nga jeta në Mynih të Gjermanisë më 23 maj, në moshën 58-vjeç pas një ndërhyrjeje në zemër.
Ai ishte i njohur si publicist, opinionist dhe koleksionist shqiptar. Lame u dallua si studiues i historisë shqiptare, veprimtar i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Gjithashtu, veprimtar politik i Partisë Socialiste dhe funksionar shtetëror.
Një njeri me integritet, përkushtim dhe kontribut të çmuar në fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe institucionale, ndarja e tij lë një boshllëk të madh në zemrat e të gjithë atyre që e njohën, e deshën dhe e vlerësuan.
Familja e të ndjerit ka njoftuar sot ditën e ceremonisë mortore dhe homazhet në nder të Artan Lames.
Sipas njoftimit të familjes, pritjet për nder të tij do të mbahen ditën e hënë, më 26 maj, nga ora 10:00 deri në 20:00, pranë agjencisë funerale “Alba 2000”, Rruga e Durrësit (ish-ambasada jugosllave).