Një ditë pas largimit të biznesmenit libanez nga Shqipëria dhe tërheqja nga investimi 450 mln dollarë në Gjirin e Lalzit, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka urdhëruar hetim administrativ.

Hetimi ka të bëjë me sqarimin e situatës se pronësisë mbi truallin në Gjirin e Lalzit, ku do të investonte shoqëria OMNIX.

Ministri Manjani ka urdhëruar mbledhjen e informacionit zyrtar nga arkiva e Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP). Informacion do t’i kërkohet edhe ZVRPP Durrës. Urdhri parashikon nisjen e inspektimit për sqarimin e legjitimitetit të vendimeve të gjykatës së Durrësit. Konkluzionet e hetimit administrativ do të bëhen të ditura në përfundim të procedurave ligjore.

Kompania OMNIX e biznesmenit Faad Mitri deklaroi dje se tërhiqet nga investimi gjigand prej 450 milionë dollarësh në Gjirin e Lalzit dhe nga çdo investim tjetër në Shqipëri.

Në deklaratën e djeshme, kompania shprehet se ‘akti i rëndë kriminal i dhunimit të biznesmenit ja ka dalë që të rrënojë përpjekjet e Omnix Albania përgjatë këtyre viteve’. Sipas kompanisë, ky projekt gjigand synonte të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018.

Biznesmeni libanez 55-vjeçar, udhunua barbarisht nga 3 persona ndërsa udhëtonte me familjen në rrugën e Rinasit. Një prej autorëve të dyshuar të dhunimit të tij është vënë në pranga. Sipas policisë, krimi pati si motiv konfliktin e pronësisë pikërisht për tokën tek Gjiri i Lalëzit

Ndërkohë që dje ministrja e Ekonomisë, Milva Ikonomi ka takuar në spital biznesmenin Mitri, në përpjekje për të rikthyer vendimin që të vazhdonte investimin. Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha i bëri dje thirrje kompanisë OMNIX të rishikonte vendimin, duke mos kursyer akuzat ndaj qeverisë. Por, pavarësisht kësaj dje biznesmeni u largua me barrelë në aeroportin e Rinasit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb