Klubi i Leicester ka konfirmuar sot pasdite zyrtarisht se presidenti i klubit anglez, Viçai Srivadhanaprabha, kishet humbur jetën në aksidentin e helikopterit të tij pas ndeshjes me West Ham. Mjeti fluturues ishte ngritur nga qendra e fushës si zakonisht për ta dërguar atë në aeroportin më të afërt, por pas pak metrash u rrëzua për një defekt dhe përfundoi duke u përplasur në parkingun pranë stadiumit. Me mijëra tifozë ishin mbledhur që mbrëmë dhe gjatë ditës së djeshme pranë stadiumit, në pritje të lajmit të kobshëm, pasi të gjithë dinin se presidenti i Leicester ishte ai që udhëtonte në atë helikopter pas çdo ndeshjeje. Lojtarët e skuadrës angleze ishin të gjithë të tronditur, ndërsa ndeshja e Kupës Karabao ndaj Southampton në mesjavë është anuluar si pasojë e kësaj ngjarje të rëndë ku kanë humbur jetën edhe dy pjesëtarë të ekuipazhit dhe dy persona të stafit të tajlandezit. “Me trishtim të madh dhe me një zemër të thyer konfirmojmë se presidenti ynë, Viçai Srivadhanaprabha, ishte mes atyre të cilët humbën jetën në mënyrë tragjike pasditen e së shtunës kur një helikopter që mbante atë dhe 4 persona të tjerë u përplas jashtë stadiumit. Asnjë nga pesë personat në bord nuk mbijetuan”, shkruhej në njoftimin e Leicester. Miliarderi tajlandez u bë një figurë shumë e dashur që kur bleu klubin në vitin 2010 duke e nxjerrë nga borxhet dhe duke pasur vizionin që të ndërtonte një skuadër e cila nën drejtimin e Klaudio Ranierit, shkroi historinë duke fituar tre vite më parë kampionatin anglez. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb