TIRANE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është shprehur i vendosur sa i përket luftës ndaj korrupsionit në radhët e policisë dhe eliminimin e fenomenit të ryshfetit. Gjatë fjalës së tij në një takim me Policinë Rrugore, ministri Tahiri falenderoi ata për gjithçka kanë bërë, por nuk kurseu as kritikat për policët e korruptuar.

Tahiri tha se ka ende punonjës që e përdhosin uniformën e policisë, ndërsa theksoi se kjo situatë po ndryshon rrënjësisht.

Teksa u shpreh i pakënaqur me faktin se policët nuk i kanë bindur ende qytetarët që të mos japin ryshfet, Tahiri tha se ky fenomen duhet të luftohet plotësisht.

Sipas ministrit të Brendshëm, 39 të arrestuar brenda janarit në të gjithë vendin sepse i kanë dhënë para policit, duhet të mjaftojë për t’i bindur të gjithë qytetarët, se kjo gjë nuk do të tolerohet.

“Sot ka më shumë nevojë për integritet, etikë në komunikimin me qytetarin, për standarde në punën e përditshme. Kur kam marrë detyrën, Policia Rrugore ishte një ndër trupat e perceptuar si më e korruptuara në Policinë e Shtetit. Dhe unë besoj se jo pa shkak, sepse punonjësit e policisë ishin braktisur nga eprorët, nga përfaqësuesit politike në ministri, vetëm e vetëm për të dëmtuar në themel raportin që policia kishte me qytetarët. Sot për të tretin vit radhazi, nga të gjitha institucionet, policia është i besuari në Republikën e Shqipërisë. Por kemi ende shumë për të bërë që policia të jetë ajo që duam, ajo që presin qytetarët, të jetë policia e gjeneratës tjetër.

Nuk mund të bëhet policia as më e mirë, as më etike, as më korrekte në rast se e dikton pushteti politik. Nëse punonjësit e policisë janë të tradhtuar, të braktisur, të papaguar, nuk mund të bëhet kjo. Kjo është arsyeja pse ne e filluam duke rritur pagat për punonjësit e policisë. E kryesisht për ata që janë në rrugë, që përballen me qytetarin.

Është kjo arsyeja pse ne investuam në infrastrukturën e policisë, arsyeja pse ndryshuam uniformat. Por shqetësimi im është integriteti, pasi nëse ka një betejë që duhet ta fitojmë është integriteti brenda policisë.

Është kjo arsyeja pse gati 3 mijë kolegë tuaj janë në hetim penal ose disiplinor, sepse kanë shkelur ligjin, janë korruptuar, kanë abuzuar me qytetarin. Ne e kemi shumë seriozisht me luftën kundër korrupsionit brenda radhëve të policisë. Nuk është çështje e një dite, nuk është fushatë, nuk është çështje aksioni, kjo është qasja jonë për ta bërë policinë më të mirë, më të pastër, larg praktikave korruptive.
Jam shumë i shqetësuar për raportin që krijon punonjësi i policisë me qytetarin. Ka ende punonjës policie që e përdhosin uniformën, që tallen me detyrën, që sillen në mënyrën jo të duhur. Këta duhet të jenë padyshim edhe objekt i punës tuaj. Një punonjës policie i ndershëm nuk mund të bashkëjetojë me një koleg të korruptuar. Ndaj ju kërkoj të bëni gjithçka është e mundur që të përcaktoni këtë standard në punën tuaj.

Vetëm gjatë janarit janë arrestuar 39 qytetarë në mbarë vendin se kanë tentuar t’i japin para policit. Me sa duket nuk kemi bërë aq sa duhet për t’i bindur qytetarit se nuk duhet t’i japin para policit, për t’i bërë bisht ligjit. Mjafton kjo shifër për të lëshuar një kambanë të fortë alarmi. Dua t’i bëj thirrje qytetarëve, mos tentoni më t’i jepni para policit. Është praktikë e ndaluar, e papranueshme dhe nuk duhet të ndodhë më që qytetarët t’i ofrojnë para policit. Këta 39 të arrestuar vetëm në janar për ryshfet ndaj policit, janë mjaftueshëm për të kuptuar se do figurojnë me precedent penal, gjë që i dëmton mjaftueshëm. Ndaj çdo qytetar duhet ta shmangë këtë, dhe të mos tentojë të korruptojë punonjësin e policisë.

Deri dje mund të ishte polici që kërkonte para, deri dje nuk ishin të paktë punonjësit e policisë që suleshin nëpër rrugë për të fituar para. Sot kjo nuk ndodh, por ndodh e kundërta. Nëse sot tenton t’i japësh para policit, arrestohesh. S’duhet të kemi një Shqipëri që ia hedh kush mundet, dhe ia del ai që hiqet si më i forti. Duhet të bëni gjithçka për të garantuar që policia e Shtetit të jetë pararoja e vërtetë me sjelljen që krijon me qytetarin.  Falë angazhimit tuaj, jeni kthyer në një nga institucionet më të besuara. Deri dje nuk e konceptonit dot punën që duhej bërë për ta bërë policinë më të pastër. Është kontributi juaj se pse sot policia është institucion i besuar. Por sapo ka filluar beteja jonë, me gjithë ata që duan të korruptojnë policinë, për Shqipërinë e Gjeneratës tjetër. Duke i treguar të gjithëve se nuk i bëhet bisht ligjit duke i ofruar ryshfet policisë. Përndryshe do arrestohen. Të vihet përpara drejtësisë kushdo që shkel ligjin.

“, tha ministri Tahiri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb