Nga Leonard Bombaj
HISTORI ME FILMA
Letër e hapur për Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja
Zoti Kryeministër!
Zoti Ministër!
Po ju shkruaj publikisht sepse edhe ju jeni pjesë e këtij rrugëtimi.
Zoti Rama!
Më 14 shkurt 2024, në orën 8:45, hyra në zyrën tuaj me një producent amerikan. Ai ju deklaroi se do të financonte një film shqiptar, duke kërkuar pjesëmarrjen e shtetit shqiptar. Ishte koha kur Qendra Kombëtare e Kinematografisë ishte e pezulluar dhe në ristrukturim.
Ju thatë: “Bëjini gati letrat, and come back again! Historia dhe autori shqiptar e meriton.”
Na ishin dashur gjashtë muaj për të siguruar atë takim. Producenti firmosi, vulosi dhe i sollëm letrat, por me ju nuk u takuam më.
Pas dy muajsh mora një telefonatë nga z. B. Gonxhja: “Dosja juaj ka kaluar tek ne. Por është në dorë të K.M. të aprovojë buxhetin. Unë do ta rikujtoj.”
U lumturova. Kisha mundur të sillja një buxhet me firmë e vulë nga jashtë për Shqipërinë dhe mendova se edhe shteti ynë po e merrte seriozisht.
Nuk ndodhi. Muajt pasuan…
“Lejlekët nuk vijnë më”, një projekt filmi mbarëkombëtar me potencial për kureshtje botërore, mori një formë të pazakontë.
Producenti amerikan S. Fishler erdhi dy herë në Shqipëri.
Ai na lidhi me ekspertë të skenarit në Hollivud, ndër ta R.Naturman.
Skenari ka shumë dorëshkrues:
1. Histori të vërteta, 24 karat, nga autori-popull.
2. “Peshkimi” letrar dhe talenti i rrallë i Pëllumb Kullës.
3. Katër drafte nga Bombaj, bazuar në manuale botërore.
4. Tetë personalitete, deri te ish-Presidenti i Republikës, u bënë “Ambasadorë” të filmit me këshilla.
5. Një Script Doctor nga Hollivudi me rishkrim të filmit.
6. Dhe 79 shqiptarë nga çdo cep i globit, që mbështetën financiarisht zhvillimin e projektit.
Pra, një skenar i gatuar nga shumë duar, një gosti karakteresh për 50 aktorë shqiptarë dhe 400 figurantë, me 80 vjet histori.
Çfarë ndodhi nga shkurti 2024 deri më 10 gusht 2026?
Aplikuam në thirrjen e QKK-së dhe projekti u refuzua.
Kineastë të njohur humbën gjithashtu.
Dy momente dua t’i ndaj me ju, sepse na çojnë te: SISTEMI.
Në korridor dikush tha: “Aplikanti i fundit është lojtar i fortë. Ka pesë vjet që, sa herë aplikon, fiton.”
Ashtu ndodhi. Ai sërish fitoi.
Flasim për rreth një çerek milion euro nga taksapaguesit tanë.
Wow! — thashë. Si e gjetën?
Po drejtoj disa pyetje për të kuptuar sistemin dhe transparencën publike:
1. Kush vlerësoi dhe me çfarë kriteresh?
2. A publikohen pikët individuale dhe arsyetimi profesional për secilin projekt?
3. Sa herë ka fituar i njëjti aplikant?
4. Çfarë audience/box office kanë pasur projektet e financuara?
5. Sa aplikantë që aplikojnë për herë të parë fitojnë?
6. A ndryshojnë anëtarët e bordit nga viti në vit për të shmangur një rreth të mbyllur?
7. A po prodhon Sistemi një industri të re filmi, apo po riciklon të njëjtin grup autorësh?
Mendja më shkon tek projekti ynë, që nuk u bë për një natë dhe as u mbyll në zarf për të provuar fatin.
Është dashur 20 vjet akumulim, 2 vjet zhvillim, punë e 99 njerëzve, dhe në fund u sfidua nga një skenarist i vetëm që fitoi sërish.
Mund të ketë qenë i mirë.
Kam një dyshim që mund të rrëzohet vetëm me transparencë.
Auditoni! Verifikoni projektet! Edhe tonin. Nëse jam gabim, do të kërkoj falje publikisht.
Sepse problemi nuk është se njëri prej nesh refuzohet.
Problemi fillon kur askush nuk mund të kuptojë më pse refuzohet.
Kam ndjesinë e fortë se vepra jonë po gremiset në errësirën e sirtareve-katakombe. Guxoj të besoj se kjo Shqipëri e vogël me potencial kaq të madh artistik, për numër banorësh duhet të ketë “varrezën” më madhe në botë me vepra të refuzuara, ekzekutuar nga e njëjta armë krimi- PAPËRGJEGJSHMËRIA.
MOMENTI I DYTË
Një nga anëtarët e bordit tha: “Skenari juaj është 4 filma bashkë.”
Në pamje të parë mund të duket thjesht një opinion por kjo fjali ngre një pyetje shumë më serioze: Me çfarë kriteresh po lexohet një skenar kinematografik?
Mendja më tha: “Jo, mik! Skenari është 40 filmtha bashkë, ku heroi, si një Servantes, ecën mes historive reale shqiptare.”
Skenari nuk është letrar, por i detajuar teknikisht. Manualet botërore na sugjeronin çdo faqe KUR duhet të ndodhte ÇFARË, dhe kujdesi i një eksperti në Hollivud (ndër 5 më të Mirët).
M’u kujtua filmi Amadeus. Perandori, për të bërë një kritikë, i thotë Mozartit: “Opera juaj ka shumë… shumë… nota.”
Mozarti, gojëhapur, mbrohet: “Opera ka aq nota sa duhet.”
Dyshoj se skenarët mund të lexohen nxitimthi, përciptazi, me ndonjë shënim sa për oponencë.
Zoti Rama!
Zoti Gonxhja!
Eksperienca ime 30-vjeçare, ku të gjithë shijojnë sukseset e kolegëve, më ka dhënë edhe shansin të futem në “Luginën e Refuzimit”, rrethuar nga kodra-pirgje me vepra të refuzuara.
Në Hollivud thuhet: “Ju nuk e imagjinoni sa filma të mrekullueshëm janë varrosur të gjallë, dhe sa të tjerë kanë mbijetuar falë lobingut dhe marifeteve.”
E pra, ju nuk e imagjinoni sa kryevepra shqiptare ndër vite janë zhytur në dheun e harrimit prej refuzimit. Duhet një “Ministri Ndjese” që të kërkojë FALJE dhe t’i ringjallë.
Dhe po rikujtoj SISTEMIN.
Paratë publike nuk janë pronë e një bordi.
As talenti nuk është pronë e një klani.
Po flas kur protestat dhe debatet publike janë aktuale në Shqipëri.
Po flas kur NE të gjithë, nga pak, me heshtje fryjme administratën sa një Ciklop.
Kemi krijuar një “Kënetë interesash”.
Nuk flas për një bord. Flas për një sistem që ushqen fitore të vogla personale dhe mbyt të ardhmen e brezave të nesërm.
Mes artistësh që përpëliten në krijimtari me hirin e shpirtit të tyre, ka edhe MARIFETÇINJ që luajnë “Valsin e Lëpirjes”, “Rapsodinë servile”, apo menaxhojnë votime me shkelje syri.
Prandaj: ÇONI EKSPERTË!
Zoti Rama!
Zoti Gonxhja!
Çoni ekspertë të pavarur dhe shikojeni vetë.
Shikoni vitet e fundit të financimeve të QKK-së.
Shikoni emrat. Shikoni aplikimet. Shikoni fituesit. Shikoni përsëritjen e financimeve.
Dhe mbi të gjitha kërkojmë që projektet tona të mund të humbasin në mënyrë të drejtë.
SË FUNDI, NJË FJALË E MIRË
Po e mbyll këtë histori me ata që janë pjesa më e bukur e saj.
Janë 79 shqiptarë nga vende të ndryshme të botës që kontribuan financiarisht për zhvillimin e këtij filmi.
Kanë zgjedhur të besojnë te një vepër shqiptare përpara se ajo të realizohej.
Prandaj po ju them publikisht: MIRËNJOHJE!
Ju përfaqësoni etjen që ekziston për vepra shqiptare dinjitoze.
Kjo është një dëshmi që unë nuk mund ta injoroj. As shteti nuk duhet ta injorojë.
Ka një publik që ende pret diçka më shumë nga kultura e mëmëdheut: HISTORI-IDENTITET-DINJITET.
E dini?
Një personalitet me titull nga Shtëpia e Bardhë në SHBA, fatmirësisht filantrop shqiptaro-amerikan, më sugjeroi: “Bombaj! ka me qindra – mijëra shqiptarë që janë gati të investojnë për kulturën shqiptare. Le të ngremë një Bord Diasporë-Shqipëri për mega-projekte por… duhet Besim–Transparencë.”
Këtë ide e çova në M.T.K.S. në pranverë të këtij viti.
Presim.
Prandaj sot unë nuk kam ndërmend të hesht.
Jo nga mërzia,
Nga përgjegjësia.
Leonard Bombaj
Regjisor / Skenarist
Tiranë 15 gusht 2026
