POGRADEC- Nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj ka marrë pjesë në takimin e Ombusmanëve të Rajonit në Pogradec. Gjatë fjalës së saj, Leskaj pohoi se në fokus të takimit ishte bashkëpunimi shoqëri civile – Ombudsman, në kontekstin ndërkufitar.

“Është kënaqësi për mua, që në emër të Kuvendit të Shqipërisë të përshëndes këtë takim rajonal që ka në fokus një çështje shumë të rëndësishme për të gjithë: bashkëpunimin shoqëri civile – Ombudsman ne kontekstin ndërkufitar. Përshëndes nismën e z. Totozani, e padyshim vullnetin e përbashkët me Avokatët e Popullit të Maqedonisë z. Mehmeti e të Kosovës z. Jashari, për nxitjen e bashkëpunimit në rajon në një fushë kaq të rëndësishme, siç është ajo e të drejtave të njeriut. Për ne, roli i Ombusmanit është shumë i rëndësishëm, përcaktohet nga misioni i tij kushtetues për parandalimin, promovimin, dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve nga shkeljet që rrjedhin nga veprimet apo mosveprimet e administratës publike. Përpjekja për të rritur vetëdijen e përbashkët qytetare mbi këto të drejta është jo vetëm një sfidë morale e shoqërisë së sotme, por edhe një bashkëpërgjegjësi institucionale, një detyrë e jona e përditshme.”, tha Leskaj.

Ndër të tjera ajo shtoi se: “Dëshiroj të vlerësoj faktin që institucioni i Avokatit të Popullit dhe organizatat e shoqërisë civile punojnë seriozisht për standarde më të përparuara në fushën e të drejtave dhe lirive, për një qeverisje demokratike, gjithëpërfshirëse e sa më pranë qytetarëve. Nismat e zyrës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen e grupeve vulnerabël siç janë: personat me aftësi të kufizuara, gratë e dhunuara, fëmijët, të moshuarit, personat e prekur nga gjakmarrja; etj si dhe rritja e numrit të ankesave nga qytetarët etj, dëshmojnë se ky institucion ka arritur të fitojë tashmë vëmendje dhe besueshmëri nga qytetarët. Vlerësimi i institucionit të Avokatit të Popullit me nivelin A nga Komiteti Ndërkombëtar Koordinues i Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, niveli më i lartë i akreditimit, është tregues i përputhshmërisë së institucionit të Avokatit të Popullit me Parimet e Parisit. Mbrojtja dhe përfaqësimi i interesave të publikut janë një projekt konstant i përbashkët i Parlamentit, Qeverisë dhe i institucionit të Avokatit të Popullit. Padyshim që fuqia jonë qëndron në qëllimin e përbashkët për përmirësimin e standardeve të jetesës së qytetarëve shqiptarë, në fushën e të drejtave të njeriut. Duke qene se puna e Avokatit te Popullit bazohet në ankesat dhe problemet e qytetarëve, rekomandimet e tij janë një ndihmë e pazëvendësueshme për Kuvendin. Për këtë arsye, Kuvendi në bashkëpunim me Ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin ka ndërtuar një plan veprimi për monitorimin e institucioneve për zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.”.

Sipas Leskajt, në këto 25 vite Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

“Kemi miratuar një korpus legjislativ të përparuar në fushën e të drejtave të njeriut e mosdiskriminimit e kemi ngritur mekanizma institucionalë për zbatimin e tyre. Kohët e fundit, Kuvendi ka një qasje më të hapur dhe nxit bashkëpunimin mes aktorëve të ndryshëm që operojnë në fushën e të drejtave të njeriut, qofshin ato institucione të pavarura si Avokati Popullit, Avokati Anti-diskriminim ai për Ruajtjen e të Dhënave Personale dhe të Drejtën e Informimit, Shoqëri Civile. Po natyrisht ka ende shumë për të bërë sidomos në fushën e zbatimit të ligjit, reforma në drejtësi që është kryefjala jonë bashkë me partnerët ndërkombëtarë, është jetike për zbatimin e ligjit. Por na takon ne, si të zgjedhur nga sovrani, i takon Avokatit të Popullit, organizatave të shoqërisë civile dhe gjithkujt që e ka një peshë në opinionin publik, t’i bashkërendojmë këto përpjekje, të mos konsiderojmë limite kur vjen fjala për t’u shërbyer aspiratave të qytetarëve. Dëshiroj të them se bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm për një qasje të integruar në zgjidhjen e problemeve që përballin zyrat e Avokatit të Popullit.

Ka mjaft probleme që kanë nevojë për adresim që i kalon kufijtë e një vendi. Po përmend çështjen e romëve apo çështje që lidhen me trafikun e qenieve njerëzore, me fëmijët etj. Janë probleme që nuk mund të zgjidhen pa një adresim të përbashkët. Po ka dhe një dimension tjetër shumë të rëndësishëm ky bashkëpunim, shkëmbimi i eksperiencave dhe praktikave më të mira rrit eficencën e punës të secilit vend e të të gjithëve bashkë. Ne kemi një të ardhme të përbashkët atë integruese Euro-Atlantike, kemi të njëjtat sfida sa i takon këtij procesi edhe pse secili vend do anëtarësohet sipas meritës suksesi i njërit krijon mundësi përfitimi dhe për të tjerët ndaj bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm. Besoj se ky bashkëpunim duhet bërë pjesë e integruar e nismave rajonale SEECP, veprimtarive në kuadër të Procesit të Berlinit etj. Së fundi, përfitoj nga rasti t’ju përgëzoj të gjithëve për përpjekjet tuaja në vendet respektive për demokratizimin dhe zhvillimin e shoqërive tona, çka shpesh rezulton jo fort e lehtë në vendet tona. Por me një punë të përbashkët besoj se mund të bëjmë më shumë për atë që qytetarët tanë meritojnë.”, tha ajo.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: