Merkato e NBA-së nuk ndalet edhe ditët e pushimit për shkak të All Star Game, teksa ka të tjera surpriza. Kështu, Russell Westbrook, që u transferua nga Lakers të Utah Jazz, si pjesë e një marrëveshje që preku 3 skuadra, pritet të ndryshojë ekip.

Westbrook pritet të rikthehet në Los Angeles, por për të luajtur me Clippers pjesën e mbetur të sezonit. Lojtari zgjidhi në mënyrë konsensuale kontratën me Jazz, ku nuk luajti asnjë minutë, pasi kërkon një skuadër tjetër dhe Clippers janë gati ta mirëpresin.

Një tjetër lëvizje që do të finalizohet këtë javë është ajo e transferimit të basketbollistit Kevin Love nga Cleveland te Miami. Edhe ekipi i Chicago Bulls ka bërë një lëvizje orët e fundit, duke sjellë Patrick Beverley, që në pjesën e parë të sezonit ka luajtur me Lakers.

Nesër rinisin ndeshjet e sezonit të rregullt të NBA. Përveç garës për të siguruar një vend në play off është edhe ajo për trofeun e basketbollistit më të mirë. Favorit për ta fituar këtë trofe është Nikola Jokic. Ai e ka fituar edhe në dy sezonet e fundit dhe ka një mesatare prej 24.7 pikësh për ndeshje. Më pak favoritë janë kamerunasi Joel Embiid dhe slloveni Luka Doncic.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb