TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha tha se do i propozojë grupit parlamentar dhe forumeve më të larta të kësaj force djegien e mandateve të deputetëve si një mesazh i qartë i ardhur dje nga protesta e opozitës.

Basha tha se në Europë kur qeveria kapet duke vjedhur nuk rrihet populli, nuk helmohet populli por ikën qeveria, ndëshkohen hajdutët. Por se sipas tij, Edi Rama nuk pranoi ta dëgjojë këtë mesazh, mesazhin e sovranit të bashkuar si asnjëherë më parë në protestën e djeshme.

“Qytetarët kërkojnë zgjidhje, kërkojnë rrugëdalje, kërkojnë ndryshim. Ju kërkoni një qeveri të zgjedhur nga vullneti juaj dhe vota juaj dhe jo një qeveri të diktuar nga krimi dhe hajdutët e oligarkisë. Ju kërkoni një parlament që zgjidh hallet tuaja dhe jo një parlament të dalë nga votat e blera me paratë e krimit të organizuar dhe që noterizon vjedhjet e një kryeministri të kapur në flagrancë. Ju kërkoni një qeveri legjitime që iu jep llogari qytetarëve në vend që t’i fyejë dhe poshtërojë pasi i ka vjedhur dhe i ka dhunuar. Ju kërkoni dhe prisni që ne t’i prijmë ndryshimit. Ne kemi ndjekur të gjitha rrugët institucionale për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur interesin e qytetarëve por përballë nuk kemi një parti politike, nuk kemi një kryeministër dhe një qeveri politike të zgjedhur nga qytetarët, përballë kemi një bandë që ka ardhur në pushtet nga bashkëpunimi me bandat dhe qeverisë për llogari të bandave”, deklaroi kreu i PD.

Ai tha se ka kuptuar qartë mesazhin e qytetarëve dhe se koha e fjalëve ka mbaruar duke theksuar se PD nuk do jetë më fasadë e një parlamenti të dalë nga zgjedhje që i ka diktuar krimi.

“Duke iu falënderuar për besimin e demonstruar dje, ju siguroj se unë e kam dëgjuar dhe kuptuar shumë qartë mesazhin tuaj me pjesëmarrjen dhe bashkimin në protestën më të madhe që ka pasur ndonjëherë vendi. Mesazhi juaj është i qartë. Kështu nuk vazhdohet më, kupa është mbushur dhe është derdhur, thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar. Ne nuk do vazhdojmë të jemi fasadë e një parlamenti të dalë nga zgjedhje që i ka diktuar krimi i organizuar. Mbështetja juaj e dëshmuar dje mori përmasat e një referendumi për zgjidhjen politike të ofruar nga opozita.
Ndaj unë jam sot këtu për t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta vendimmarrëse të Partisë Demokratike të Shqipërisë djegien e mandatave parlamentare në mbështetje të qëllimit dhe aspiratës që ju dje dëshmuat se është mbarëkombëtare, europiane dhe e pandalshme, mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, Shqipërinë si gjithë Europa, qeverinë tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlament të popullit dhe jo të krimit”, deklaroi kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb