LIBRAZHD – Familjarët e një 53-vjeçareje që humbi jetën tri ditë më parë në spitalin e Librazhdit kanë denoncuar mjekët, duke i akuzuar ata për mjekim të pakujdesshëm. Bëhet fjalë për Sofie Ziton nga fshati Katjel i Librazhdit.Burime nga policia lokale pohuan se viktima ishte paraqitur me urgjencë në spitalin e Prrenjasit rreth një javë më parë, pas një dhimbjeje të fortë të barkut. Duke qenë se spitali nuk kishte kushtet për ndërhyrje kirurgjikale, pacientja ishte dërguar në Librazhd. Të njëjtat burime thanë se operacioni është kryer nga mjeku me inicialet R.K. Por, pasi ka dalë nga spitali 53-vjeçarja ka pasur kriza në bark, duke gjetur vdekjen ditën e mërkurë.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, familjarët e viktimës kanë akuzuar bluzat e bardha për neglizhencë, ndërsa kërkuan kryerjen e autopsisë. Në pyetje u morën dhe stafi i mjekëve dhe infermierëve që asistuan në operacionin e të ndjerës. Mjekët thanë se paraprakisht dyshohet se vdekja e gruas ka ardhur si pasojë e zmadhimit të zemrës. Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb