Shqipëria e ka shumë të vështirë të reagoj, të rikthehet tek rezultatet pozitive, nuk e bën diçka të tillë as në transfertën përballë Kazakistanit. Kuqezinjtë nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola në një 90-minutësh konfuz dhe pa shkëlqim. Nuk pati asnjë efekt as aktivizimi i Brojës si titullar, sulmuesi i Viteshe pati disa mundësi të realizonte golin e tij të parë me Kombëtaren por nuk ishte i saktë në finalizim. As aktivizimi i Kumbullës si titullar nuk pati ndonjë impakt të madh, sërish ishim në panik në prapavijë, në ato pak raste kur vendasit sulmuan. Të besuarit e Edy Reja morën shpejt kontrollin e lojës, por në çdo rast ishin të pa qartë në pasin final por dhe të pafat si në minutën e 8-të ku topi i harkuar në zonë nga Trashi u devijua për tu ndalur në tranversë.

Broja u përpoq në dy momente të depërtonte në krah por pa mundur të shërbej në qendër. Më sytë nga sulmi, Shqipëria la jo pak hapësira pas por pa cilësinë e duhur në këmbë as vendasit nuk bënë më shumë, thjeshtë sollën pështjellim në zonën e Berishës. Në pamundësi për të goditur portën me aksione të rrjedhshme, Shqipëria u përpoq të kërcënonte me goditje standarde. Pas pushimit të pjesës së parë, Edy Reja spostoi ekipin më shumë në gjysmëfushën e kundërshtarëve, në 60-të Broja shpërdoroi rastin më të pastër ku me një parabël të lehtë kaloi portierin por pa mund ti jap topit forcën e duhur. 19-vjeçari ishte protagonist kryesor pak minuta më pas mori një dhuratë në afërsi të zonës por sërish nuk arriti të dërgoi topin në kuadrat.

Tekniku italian vendosi të ndryshoj teksa në minutën e 82-të hodhi në fushë Memollën dhe Taulant Seferin me këtë të fundit që kishte në këmbë goditjen trepikshe, i pa shqetësuar brenda në zonë goditi trupin e portierit pa mundur ti dhuroj Shqipërisë fitoren.

Ky barazim pa gola lë një shije të hidhur, sërish Shqipëria nuk arrin të bëj të madhën, pas tre ditësh kanë një tjetër provë po kaq të rëndësishme, sfidojnë Lituaninë në transfertë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb