Rituali i jetës në malësinë e veriut vjen i përjetësuar në një muzikal që ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Lindja, dashuria, gjama dhe vdekja riformulohen në gjuhë artistike duke ruajtur elemente folklori por me një gjuhën koreografike e kompozicionale të re. Koreografi Arian Sukniqi, shpjegon konceptin
“Kjo është një shfaqje që rikthehet pas pak më shumë se 1 dekadë dhe ka një koncept më bashkëkohor se 10 vjet janë shumë. Është një shfaqje që mbështet në traditën shqiptare dhe është një pasaportë shqiptare për një zonë të caktuar. Janë ritet e një kombi, në këtë rast është zona e Shkodrës se aty janë disa elementet e kësaj zone, xhubleta, lahuta, gjama e burrave. Rituali është narrativë e gjithë fazave të jetës” tha Sukniqi.
Muzikali vjen me bashkëpunimin e Ansamblit dhe trupës së baletit të teatrit të operas. Alban Tahiri nga Ansambli ndalet te elementet e shfaqjes.
“Ansambli është përfshirë te dasma dhe gjama, që është vdekja, po ashtu edhe me jetën ky është etnomuzikali i parë shqiptar. Ka një koreografi shumë të bukur. Ky muzikal vjen pas 12 vitesh dhe ka patur atëherë sukses të jashtëzakonshëm”, u shpreh Tahiri.
Shfaqja ngjitet në skenë me 13 qershor në mbrëmje me koreografinë e Sukniqit dhe muzikën e Klodian Qafokut.