Në programin “Gëzuar me ju”, me moderatore Ola Brukon dhe vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti, këtë të diel ishte i ftuar këngëtari Arben Duro së bashku me miq artistë, bashkëpunëtorë e familjarë.

Arben Duro rrugëtoi nëpër kujtime dhe me shumë nostalgji tregoi fillimet e veta krejt të rastësishme në muzikë. Ishte viti 1979 kur ka nisur rrugën e artit dhe prej atij momenti kanë kaluar 45 vjet, përvjetor të cilin do ta festojë me një koncert, që do të realizohet së shpejti.

Arben Duro tregoi se fitoi konkursin për muzikë në shkollën e ushtrisë, por më pas ajo shkollë u mbyll dhe ai mori një tjetër drejtim në arsimimin e tij.

Rreth moshës 20-vjeçare, fati i Arben Duros ishte që kishte miq artistë më të mëdhenj se ai. Ai kujtoi se si fillim merrte tekstet e tyre dhe i performonte. Duro veçoi këngëtarin e njohur Dashnor Diko, për të cilin tha se kishte shumë këngë të bukura, disa prej të cilave zgjodhi t’i kujtonte me fragmente të shkurtra gjatë bisedës në studio.

Arben Duro me shumë nostalgji kujtoi skenën e krijuar te kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë,
“Ne zgjodhëm një skenë tonën, që u bë shumë e dashur për të gjithë Tiranën, u përhap kudo”, u shpreh ai.

Duro foli edhe për vështirësitë që hasnin ata në atë periudhë. “Të këndoje në atë kohë këngë të muzikës rrok, këngë që ishin të ndaluara, nuk ishte e lehtë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb