Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar pamje të një sulmi të ri ajror amerikan ndaj një baze ushtarake në qytetin juglindor të Iranit, Iranshahr, ku sipas Uashingtonit operonte pjesërisht Garda Revolucionare Islamike (IRGC).

Sulmi është pjesë e valës së dytë të operacioneve amerikane kundër Iranit, ndërsa tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas sulmeve ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Trump ka ashpërsuar gjithashtu retorikën ndaj Teheranit, duke deklaruar se ushtria amerikane do të përgjigjet me një forcë shumë më të madhe nëse Irani vazhdon sulmet.

“Ne do t’i godasim 20 herë më fort,” u tha Trump gazetarëve, duke pretenduar se SHBA-të kanë fituar tashmë përballjen ushtarake dhe se Iranit i kanë mbetur “shumë pak mundësi”.

Mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në disa zona përgjatë bregdetit jugor të vendit, përfshirë Bushehrin, ku ndodhet kompleksi i centralit bërthamor iranian, si dhe qytetet portuale Chabahar, Konarak, Bandar Abbas dhe Sirik.

Një bazë ajrore në Iranshahr u bë gjithashtu objektiv i sulmeve amerikane.

Në kundërpërgjigje, Irani nisi sulme ndaj objektivave në Bahrein, Kuvajt dhe Katar, duke zgjeruar përplasjen në vendet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik.

Deri tani nuk janë raportuar dëme të mëdha në këto vende. Ushtria e Kuvajtit njoftoi se po përpiqej të interceptonte raketa dhe dronë të lëshuar drejt territorit të saj.

Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se Teherani ka kontaktuar Uashingtonin për një marrëveshje armëpushimi, edhe pse një ditë më parë ai kishte thënë se marrëveshja e përkohshme e mirëkuptimit ishte “mbaruar”.

“Irani telefonoi pak kohë më parë. Ata duan shumë të bëjnë një marrëveshje. Thjesht nuk e di nëse janë të denjë për të bërë një marrëveshje dhe nuk e di nëse do ta respektojnë atë,” tha Trump nga Air Force One.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb