Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh se sot kemi vendosur një gur kilometrik në zhvillimin energjetik të Shqipërisë dhe mbarë shqiptarëve, gjatë fjalës në aktivitetin e organizuar me rastin e nisjes së transmetimit të linjës 400 kV Shqipëri-Kosovë.

Balluku theksoi se “krijimi i këtij blloku të ri mes KOSTIT dhe OST-së nuk sjell vetëm këtë zhvillim të rëndësishëm, por krijon një panoramë të re energjetike për vendin, duke rritur sigurinë energjetike pa dyshim duke krijuar një treg të përbashkët, i cili do të na ndihmojë të dyja palëve që të jemi konkurrentë në rajon dhe ndoshta duke krijuar rezerva që do të jenë të rëndësishme për secilën palë dhe do të menaxhohen në mënyrë të përbashkët”.

Sipas saj, ky bashkëpunim, krijimi i këtij blloku Kosovë-Shqipëri ose i quajtur AK do të ndihmojë në balancimin energjetik mes dy vendeve.

“Ky gur kilometrik është vetëm fillimi i një bashkëpunimi shumë të ngushtë midis dy operatorëve tanë të trasmetimit”, vijoi Balluku.

Duke u ndalur tek përfitimet dhe çfarë sjell kjo ditë pë energjinë elektrike shqiptare, Balluku tha se “kemi bërë një punë të mirë që në vitin 2016 sa i përket linjës së transmetimit me Kosovën. ky është investim i ofruar nga KfW që ka përfunduar me sukses, sipas vendimit të marrë nga Organizata e Transmetimit të Operatorëve Europianë. Kjo linjë duke filluar që sot është e operueshme”.

“Shqipëria ka linja interkonjeksioni të rëndësishme në në operim dhe po përgatitemi të fusim edhe një tjetër shumë shpejt. Ky investim i ri na jep mundësi që ne të jemi jo thjesht një vend i bazuar në burimet energjetike të rinovueshme, të cilat janë tashmë shumë të kërkuara nga tregu europian për shkak të balancimit të kuotave  të karbonit, por na bën të jemi gjithashtu një fuqi eksportuese”, – tha Balluku.

Ministrja Balluku theksoi se “kjo është diçka që ne prej kohësh kemi kërkuar që të arrijmë, së bashku me ndërtimin e Skavicës dhe parqeve energjetike fotovoltaike do na japë mundësi të tregtojmë energjinë e prodhur në vend dhe për të balancuar në të ardhmen rezervat tona, të cilat do të menaxhohen për shkak të krijimit të këtij blloku në mënyrë të përbashkët me Kosovën”.

Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Skerdi Drenova tha se “një vit më parë OST dhe KOST nënshkruan marrëveshjen për krijimin e bllokut të kontrollit Shqipëri-Kosovë, i cili sot në mesnatë është vënë në jetë. Ky bllok do të sjellë aplikimin e një koncepti të ri të operimit të sistemit elektroenergjetik shqiptar ku në sinergji me bursën shqiptare të energjisë elektrike Alpex do të krijojmë tregun e përbashkët të energjisë elektrike Shqipëri-Kosovë”.

“Dita e sotme shënon rrugëtimin e një pune të gjatë e të palodhur të dy vendeve tona me qëllimin e rritjes së sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike drejt integrimit të tyre edhe në nivelin rajonal dhe europian”, – nënvizoi Drenova.

Gjithashtu, shtoi ai, dita e sotme do të njihet si dhe dita e vënies në operim të linjës 400 kV, Koman-Kosova B, e cila rezulton të ketë një impkat pozitiv jo vetëm në ritjen e sigurisë së operimit të sistemit elektroenergjetik shqiptar, por edhe do të garantojë bashkimin e plotë të dy tregjeve energjetike.

Ndërsa kryetari i bordit drejtues të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të tregut të Kosovës, Jeton Mehmeti, tha se “data 14 dhjetor është një datë historike për Kosovën dhe Shqipërinë”.

“Ky bllok është një arritje e madhe për të dyja vendet dhe shpresoj që do të kemi një bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e energjisë. Shpresoj që me këtë bashkëpunim të jemi një bllok i fuqishëm në rajon dhe të kemi një fuqi ekonomike të energjisë elektrike në rajon”, theksoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb