Çdo partie politike apo koalicioni zgjedhor që ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një listë kandidatësh për deputetë me numër më të madh, nga çfarë saktëson ligji, do t’u kthehet mbrapsht për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar një vendim, i cili shkon më së shumti për Partinë Demokratike, në listën e kandidatëve për deputetë të së cilës rreshtohen 213 emra.

Edhe pse Kuvendi përbehet nga 140 deputetë, në listën e kandidatëve për deputetë, duhet të jenë 153 emra, të ndarë sipas 12 qarqeve. Shtesa e emrave të kandidatëve vjen si pasojë e faktit se çdo listë kandidatësh në secilin qark do duhet të përpjesëtohet me 3, marrë për bazë faktin se 1 në 3 emra, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të jetë grua apo siç përcaktohet në ligj, “gjinisë së nënpërfaqësuar”.

Për mosrespektim të përcaktimit ligjor, në mbledhjen e kësaj të marte, KQZ vendosi kthimin për korrigjim të listave të Partisë Lëvizja për Ndryshim që drejtohet nga Jozefina Topalli, Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare me kryetar Myslim Murrizin, Partisë Lëvizja e Re dhe Aleancës Demokracia e Re.

Kodi Zgjedhor i jep të drejtën KQZ të ndërhyjë në çdo kohë e t’u kthejë partive listën e prezantuar për korrigjime të nevojshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb