Protestuesit që mbështesin Donald Trump kanë vërshuar brenda Kongresit në SHBA. Teksa brenda në Kongres zhvillohej debait për votat elektorale dhe numërimin e tyre, protestuesit kanë vendosur që të mos lejojnë mbledhjen.

Sot pritej të certifikohej rezultati i zgjedhjeve në SHBA nga Kongresi teksa Trump pak më parë deklaroi se ai nuk dorëzohet dhe nuk do e pranojë fitoren e Biden. Kongresi ndërpreu mbledhjen pas kaosit të krijuarn nga protestuesit, dhe duket se vendimi i certifikimit të rezultatit do të shtyhet.

Nga ana tjetër zv/presidenti në detyrë Mike Pence deklaroi në Kongres se nuk mund të shmangë rezultatin e zgjedhjeve dhe do të ndjekë parimin e tij. Trump e kritikoi për këtë fakt ‘krahun e djathtë’ të tij për mungesë guximi, teksa i ka bërë thirrje protestuesve që e mbështesin të jenë paqësorë dhe mos konfrontohen me policët.

Një zëdhënës i Pentagonit tha se është mobilizuar Garda Kombëtare e Uashingtonit dhe e Virxhinias për të ndihmuar policinë e Kapitolit të frenojë protestuesit pro-Trump që hynë në ndërtesën e Kapitolit të mërkurën pasdite.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, disa njerëz goditnin me grushta dyert e sallës kryesore ku zhvillohen senacat e Kongresit në përpjekje për të hyrë brenda.

Udhëheqësit demokratë të Kongresit, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i pakicës së Senatit Charles Schumer, i kërkuan Presidentit Trump të bëjë thirrje që protestuesit të largohen menjëherë nga Kapitoli dhe zona rreth tij.

Televizioni NBC News njoftoi se një person ishte qëlluar me armë zjarri nga forcat e rendit brenda Kapitolit. Sipas njoftimeve të tjera, disa oficerë policie janë lënduar.

Gjendja në Kapitol dhe rreth tij është ende e tensionuar, ndërkohë që protestuesit u përplasën me policinë që ruajnë ndërtesën.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden mbajti një fjalim pasditen e së mërkurës dhe i bëri thirrje Presidentit Donald Trump të dalë në televizionin kombëtar dhe të mbrojë Kushtetutën, të bëjë thirrje që njerëzit të largohen nga Kapitoli.

Duke folur nga qyteti Uilmington i shtetit Delauer, zoti Biden tha se demokracia amerikane ishte nën një sulm të paparë. “Kjo nuk është protestë, është kryengritje,” tha ai.

Ai e quajti ngjarjen e së mërkurës një moment të errët në historinë e vendit, një sulm ndaj Republikës dhe ndaj sundimit të ligjit.

Zoti Biden tha se skenat e kaosit në Kapitol nuk pasqyrojnë Amerikën e vërtetë, nuk pasqyrojnë “atë që ne jemi”. “Ajo që ne shikojmë është një numër i vogël ekstremistësh, të përkushtuar ndaj paligjshmërisë,” tha ai.

Zoti Biden duhet të fliste të mërkurën për ekonominë, por ai e ndryshoi temën e fjalimit për shkak të zhvillimeve në kryeqytetin amerikan.

Ndërkohë, Presidenti Trump postoi një video në Twitter, ku u bëri thirrje protestuesve me fjalët: “Tani duhet të shkoni në shtëpi, duhet të kemi paqe. Na duhet të kemi ligj dhe rend”.

Megjithatë, ai përsëriti në video pretendimin e tij të pabazuar se zgjedhjet u vodhën dhe se ato ishin të manipuluara.

“Nuk duhet të bëjmë lojën e tyre, na duhet paqe,” tha ai në videon e regjistruar në Shtëpinë e Bardhë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb