Protestuesit kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, ndërsa protesta antiqeveritare ka hyrë në ditën e saj të 57-të.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, si edhe nga diaspora, kanë kërkuar ndryshime rrënjësore politike dhe kanë ngritur shqetësime për problematika në sektorë të ndryshëm socialë, politikë dhe ekonomikë.

Edhe këtë të mërkurë, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas kanë nisur marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ashtu si në ditët e mëparshme, protesta pritet të vijojë për disa orë me fjalime dhe thirrje si: Rama, jep dorëheqjen!”, “Rama në burg, Berisha në burg!” dhe “Shqipëria nuk është në shitje!”

Sipas organizatorëve të Revolucionit Flamingo, edhe në këtë tubim do të përsëritet kërkesa për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë, si edhe për hetimin nga SPAK të Ramës dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku në lidhje me afera të pretenduara korruptive.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbajnë fjalime dhe do të shprehin qëndrimet e tyre lidhur me situatën politike dhe sociale në vend. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje paqësore, duke theksuar se protesta synon të përcjellë mesazhe qytetare dhe të ushtrojë presion përmes mjeteve demokratike.

Më pas, marshimi pritet të vijojë në disa nga rrugët kryesore të Tiranës, ku protestuesit do të mbajnë pankarta dhe do të brohorasin sloganet e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb