Liverpool, një nga ekipet favorite për t’i shkuar deri në fund këtij turneu, hodhi një hap të sigurt për më tej në Europa League, duke i shkaktuar një humbje me “mantina” Spartës së Pragës. Ekipi i kuq ishte i papërmbajtshëm në transfertën çeke duke kaluar në avantazh që në minutën e 5-të, me Mac Allister që fitoi një penallti dhe po vetë nga pika e bardhë u tregua i saktë. Stafetën më pas e mori Nunez, me uruguaianin që realizoi një” dopietë” golash, njëri gol më i bukur se sa tjetri.

Nunez
Nunez

Me avantazhin e trefishtë, Liverpool e ktheu në stërvitje pjesën e dytë, por në fillimin ishin të pafat teksa një autogol ngushtoi shifrat në 1-3. Diaz  në minutën e 53-të dërgoi rezultatin në 4-1, ndërsa në shtesë, Szoboszlai sigloi shifrat përfundimtare në 5-1. Nga minuta e 65-të, për Spartën u aktivizua edhe mesfushori kuqezi, Qazim Laçi. Në përfundim të sfidës, Jurgen Klopp nuk i kurseu elozhet për Nunez, protagonistin kryesor:

“Nuk është akoma në kulmin e tij, mund të përmirësohet. Ai dashuron të luajë për këtë klub, realizoi dy gola spektakolar”, u shpreh Klopp. Një rezultat pozitiv mori edhe Bayer Leverkusen në transfertë përballë Karabak. Ekipi azer krijoi iluzionin se do t’i jepte fund ecurisë pa humbje të gjermanëve teksa brenda pjesës së parë kryesonin me rezultatin e pastër 2-0.

Leverkusen
Leverkusen

Në fraksionin e dytë, ekipi i Xabi Alonson reagoi, fillimisht ngushtoi shifrat në 2-1 me Wirtz në minutën e 70-të, ndërsa në limite Patrik Schick barazoi shifrat në 2-2. Në shtesë u aktivizua edhe Redon Xhixha. Kjo ishte ndeshje e 35 që Leverkusen e mbyll pa humbje, ekipi i vetëm i pathyeshëm në Evropë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb