Një lojtar golfi në Ohajo të SHBA-së ka përjetuar momente tmerri pasi një rrufe e goditi në dorë, ndërsa ai po filmonte miqtë e tij në një fushë golfi.

Chris Schiavone po luante golf me miqtë në fushën Pebble Creek, pranë Cincinnati-t, kur një stuhi goditi papritur zonën. Teksa miqtë po përpiqeshin të nxirrnin një karrocë golfi të ngecur në baltë, Schiavone nxori telefonin për t’i filmuar.

Në ato momente, një rrufe goditi pranë tij dhe e rrëzoi përtokë. Pamjet e incidentit u regjistruan nga telefoni i tij dhe më pas u publikuan në rrjetet sociale, ku morën më shumë se dy milionë shikime.

Schiavone tregoi se pas goditjes humbi përkohësisht ndjesinë në të gjithë trupin dhe pati probleme me dëgjimin. Ai pësoi dëmtime të lehta dhe aktualisht është duke u rikuperuar.


Duke publikuar videon, ai tha se ndihej “shumë me fat dhe i bekuar” që ishte gjallë pas incidentit.

Ekspertët paralajmërojnë se fushat e golfit dhe hapësirat e tjera të mëdha e të hapura janë veçanërisht të rrezikshme gjatë stuhive. Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA këshillon që njerëzit të kërkojnë menjëherë strehim sapo të dëgjojnë bubullima.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: