Pas takimit konsultativ me presidentin Bajram Begaj, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u ndal në një prononcim për mediat. Balla tha se PS nuk ka qenë e prerë për një datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Ai pohoi se PS është e gatshme që të hyjë në zgjedhje dhe t’i fitojë ato në datën e caktuar nga presidenti Begaj.

“Palët duhet të respektojnë pikë së pari kompetencën presidentit, Pasi është ai që ka kompetencë dhe të përcaktojë se cila do të jetë data e zgjedhjeve. Zgjedhjeve mund të zhvillohen brenda afatit 15 prill, 15 maj, duke marrë parasysh ndonjë ditë që mund të jetë festë zyrtare. S’kemi qenë të prerë në një propozim tonin apo sugjerim për një datë të caktuar, pasi besojmë se presidenti duhet të marrë në konsideratë të gjitha propozimet. PS është e gatshme që të marrë pjesë në zgjedhje, dhe t’i fitojë ato në secilën datë që do donte presidenti. Ajo që vërej, një vlerësim maksimal, gatishmëria e presidentit për të dëgjuar të gjitha palët.

Se di kë ka pritur zoti Begaj, se nuk mbaj regjistrin se cili hyn dhe del nga Presidenca. Të gjitha autoritetet në këtë vend, përfshi dhe autoritetin e presidencës, respektojnë ligjin dhe gjykatat.”, tha Balla.

Sa i përket takimit të nënkryetarit të PD Oerd Bylykbashi me Presidentin Begaj, Balla tha se tradita e konsultimeve për datën e zgjedhjeve përfshin konsultimet me kryetarët e grupeve parlamentare.

“Nuk di se kë ka pritur Begajn, të gjithë respektojmë ligjin dhe në këtë këndvështrim, në Kuvendin e Shqipërisë kryetari i grupit parlamentar, janë Mediu, Doda, dhe Alibeaj, pastaj nëse deputetë të caktuar kërkojnë takime me Presidentin e Republikës për këtë çështje pyesni presidentin. Nuk jam punonjës i presidentit, as punonjës i protokollit të Presidencës. As Presidentit dhe as askush tjetër nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave. Di që presidenti e ka kthyer Presidencën në normalitet. PS do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 2023 dhe natyrshëm që jam i sigurt për një rezultat të shkëlqyer të zgjedhjeve të prillit apo majit”, deklaroi Balla.

I pyetur nëse janë tërhequr nga nisma për ndryshimin e ligjit për Autoritetin e Dosjeve, Balla tha se javën e ardhshme do të depozitohet në Kuvend.
“Jo, besoj që brenda javës tjetër për shkak dhe të angazhimeve, do të depozitohet në Kuvend për të filluar procedurën”, tha ai.

Sa i përket reformës territoriale dhe 94 bashkive që kërkon opozita, ai deklaroi se shumica në fund, në mungesë të konsensusit ka gjithmonë të drejtën të ushtrojë të drejtën që i jep fakti i të qenit shumicë.
“Kërkoj mirëkuptimin tuaj që për këtë çështje t’i referoheni qëndrimeve të mia të kahershme. Por të presim këndvështrimet e të gjitha palëve në komision. Në demokraci asnjë prej palëve nuk mund të imponohet. Shumica në fund, në mungesë të konsensusit ka gjithmonë të drejtën të ushtrojë të drejtën që i jep fakti i të qenit shumicë. Mirëpres që të gjithë anëtarët e komisionit të vazhdojnë punën e tyre. T’i lëmë ekspertët të thonë fjalën e tyre”, u shpreh ai.
Balla foli dhe për ligjin e lustracionit i depozituar në Kuvend nga grupi i PD.
“Do ta mbështesim propozimin e ardhur nga grupi i PD për hapjen e dosjeve. Unë insistoj për një lloj moratoriumi për aksesin në institucionet e larta shtetërore të shumë personave që kanë qenë në sigurimin e shtetit që kanë shkatërruar jetën e mijëra personave”, u shpreh Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: