Familjarët, të afërmit dhe banorët e fshatit Ostren, në Bulqizë, po i japin lamtumirën e fundit nënës me dy fëmijët e saj, vajzën dhe djalin, të cilët humbën tragjikisht jetën një ditë më parë.

Gazetari Enver Doçi raportoi live për “BalkanWeb” momente nga ceremonia mortore, ku banorë të shumë janë mbledhur për të përcjellë në banesën e fundit nënën me dy fëmijët.

Ngjarja ka tronditur familjarë e të afërm, por edhe mbarë opinionin publik, ndërsa nuk dihet ende shkaku i vërtetë i vdekjes së trefishtë.

Ata janë gjetur të pajetë paraditen e djeshme, në banesën e tyre, ndërsa ka mundur të mbijetojë vetëm vajza e vogël e familjes, 16 vjeçe, e cila fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në Spitalin e Traumës, në Tiranë.

Siç raportoi gazetari Doçi për “BalkanWeb”, familjarët mund të jenë helmuar nga rrjedhja e gazit, por nuk përjashtohet edhe mundësia e helmimit nga ushqimi, pasi në banesë është gjetur një pjatë me supë, e cila është dërguar për ekspertizë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb