TIRANE – Qytetarët që kanë kryer blerje të ndryshme duke tërhequr kuponin tatimor nga data 15 nëntor e deri në ditën e fundit të këtij viti mund të bëhen pjesë e lotarisë së parë fiskale në vend.

“Të gjithë kuponët tatimorë të kësaj periudhe, personat që duan të jenë pjesë e lojës, duhet t’i mbledhin dhe t’i dërgojnë me zarf përmes Postës nga data 1 janar deri më 11 janar. Mbi zarf duhet shënuar nga vetë individi që do të marrë pjesë në këtë lojë, numri total i kuponëve brenda zarfit dhe vlera nominale totale e tyre”, tha Geraldina Prodani, sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Financave. Mbi zarfet që do të dërgohen përmes Postës, qytetarët do të shkruajnë adresën për lojën promocionale te shtëpia e letrave me vlerë. Por, pjesëmarrja ka një kufizim.

“Në zarf nuk mund të ketë më pak se 50 kuponë dhe vlera nominale e tyre nuk mund të jetë më e vogël se 5000 lekë. Nuk ka kufizime në vlerën e kuponit, sepse jemi të interesuar të kapim çdo lloj kuponi, duke filluar nga ai 50 lekësh i kafes e deri te të mëdhatë”, tha Geraldina Prodani. Lotaria do të ketë mbi 500 çmime fituese, të ndara në dy grupe, si çmime të mëdha dhe ato më të vogla. Për grupin e parë, fituesit do të përcaktohen sipas një formule, që bazohet te vlera e kuponëve në zarf dhe numri i tyre. “70 për qind e pikëve merren nga vlera e kuponëve në zarf dhe 30 për qind nga numri i tyre.

Në bazë të këtij vlerësimi pikësor do të bëhet edhe kategorizimi për çmimet. Çmimi i madh është mbi një milion lekë, që ndiqet nga 10 çmime pasuese me nga 100 mijë lekë”, tha më tej Geraldina Prodani.

Grupi i dytë, ai i çmimeve të vogla, do të shpallet nga sistemi kompjuterik i Tatimeve, i cili përzgjedh automatikisht dhe në mënyrë rastësore “bar kodin” e zarfeve. Në këtë grup ka 200 çmime me vlerë 15 mijë lekë dhe 300 të tilla me vlerë 10 mijë lekë. Shorti për lotarinë do të hidhet në datën 15 janar.

Shorti i parë do të shërbejë si test, ndërkohë që ministria thotë se lotaria do të vazhdojë edhe më pas, por me një formulë që mbetet ende për t’u përcaktuar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: