Shkrimtari dhe publicisti Luan Rama, ish-ambasador i Shqipërisë në Francë, është kthyer në Shqipëri pak orë pas akteve terroriste.

Ai ka dhënë një intervistë për gazetën ‘Dita’, e cila e ka përdorur për interesat e saj politike.

Gazeta madje shkruan se “xhihadin” në Shqipëri e kemi peshqesh nga Sali Berisha.

Kurse Luan Rama thote se;
“Vendi ynë u bë problematik në kohën kur Shqipëria e futur dhe e bekuar nga Berisha në Konferencën Islamike u hapi dyert fondacioneve fetare dhe ‘bamirëse’, këtyre fondacioneve fantazmë me shtetas arabo-shqiptarë, të cilët fshihnin terroristë të kërkuar nga shërbimet sekrete perëndimore. Por kjo epokë mund të konsiderohet e kapërcyer. Shteti shqiptar aktualisht është në vigjilencë për të vepruar kundër çdo shfaqjeje xhihadizmi. Por megjithatë, lufta kundër radikalizimit në mjediset fetare është një luftë e vazhdueshme pasi disa predikatorë shqiptarë, ashtu si në Kosovë apo në Maqedoni, kanë predikuar xhihadin në mënyrën më të hapur, madje përmes mediave publike dhe nuk janë cenuar aspak për deklaratat e tyre të nxitjes së urrejtjes”.

Luan Rama duket se e ka një shqetësim, që nuk duket dhe aq i pranishëm në diskutimet publike. Ai thotë se një parti fetare mund të fitojë terren në Shqipëri.
“Ndërsa lidhja e fesë me politikën në Shqipëri është një problem tjetër që kërkon një debat shumë të gjerë dhe urgjent, pasi një ditë (meqë politikanët tanë sot mendojnë si të qëndrojnë në pushtet duke kërkuar votën dhe joshur vendet e kultit), shqiptarët do të gjenden përballë një partie fetare në krye të të gjitha partive të tjera. Por kur të shfaqet bumerangu, të gjithë do shastisen, ndërsa ata që e fabrikuan këtë katastrofë nuk do jenë më”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: