Që prej këtij fillimviti, më saktë më 22 shkurt, pra nëntë muaj më parë, në kuadër të 110-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Petro Marko (ai u lind më 25 nëntor 1913), Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e shpallën vitin 2023 si “Vitin e Petro Markos”. U premtua se përmes veprimtarive të ndryshme, si: lexime, konferenca, ekspozita, botime etj., përgjatë gjithë këtij viti do të nderohej kontributi dhe vepra e figura e Petro Markos në letrat shqipe. Shpresova e besova në fakt se më në fund 110 vjetori i lindjes dhe nisma e fisme e Bibliotekës Kombëtare dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, por edhe Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës e institucione të tjerë do ta risillnin Petro Markon me jetën dhe veprën e tij në qendër të vëmendjes së opinionit në tërësi e atij kulturdashës në veçanti. Shpresova e besova se më në fund emrit dhe veprës prej patrioti dhe shkrimtari të madh të Petro Markos do t’i bëheshin nderime shtetërore të merituara, përpos veprimtarive të ndryshme siç rëndom bëhen në raste të ngjashme për emra të tjerë me më pak kontribute e me më pak vlera.

Për shembull sot pashë që në Ministrinë e Kulturës ishin mbledhur bashkë me zonjën ministre disa shkrimtarë, përkthyes, botues dhe punonjës të ministrisë e po diskutonin për ndryshimet në Ligjin për Librin, një nismë e vlefshme dhe që duhet përshëndetur padyshim. Por, ky takim mund të bëhej edhe në një ditë tjetër e dita e sotme mund t’i kushtohej Petro Markos sepse është data e tij e lindjes. Është 110 vjetori i lindjes, prej nga ku u inicua edhe nisma për ta shpallur këtë vit vitin e Petro Markos.

Sot fare mirë edhe në hollin e ekspozitave në Kryeministri ku rëndom zhvillohen veprimtari të ndryshme e ku ekspozohen edhe vlera mediokre në jo pak raste, mund të hapej një ekspozitë me dorëshkrime e relikte, me libra dhe fotografi të Petro Markos. Por asgjë! Asgjë e asnjë dedikim qoftë edhe nga ato formalet që bëhen në fb apo në instagram. Për Petro Markon sot në 110 vjetorin e lindjes së tij nuk është kujtuar askush. Por, nëse harresa në këtë rast na vjen si shenjë e injorancës dhe hipokrizisë, emri dhe vepra e Petro Markos na vjen si dëshmi e lartësive të vlerave dhe kontributeve ku injorantët dhe hipokritët nuk mund të fshihen as pas posteve, as pas titujve e as pas doktoraturave të vjedhura e që i përdorin për t’u vetëshpallur intelektualë. Petro Marko erdhi në letërsinë shqipe në kohën e Migjenit, por bashkë me Nonda Bulkën dhe Dhimitër Shuteriqin, qenë të vetmit që patën talent të mos humbisnin pas emrit të Migjenit.

Ai erdhi për t’u bërë më pas me jetën dhe veprën e tij njeriu ku gjendeshin bashkë edhe idealisti ëndërrimtar, por edhe revolucionari kokëkrisur; edhe romantiku me ndjeshmërinë e brishtë që mund të ta mëkojë vetëm një bukuri si ajo e Dhermiut shqiptar ku u lind, por edhe rebeli që nuk diti asnjëherë t’i bishtnojë fatit, edhe kur ai u tregua i padrejtë dhe i pamëshirshëm shpeshherë me të në të gjitha kohët dhe në të gjithë regjimet; edhe atdhetari dhe patrioti i madh që thoshte “E dua Kosovën gjer në dhimbje se është Shqipëri”, por edhe antifashisti dhe internacionalisti që do të rendëte përkrah luftëtarëve të “Brigadave të Kuqe” në Spanjën monarkofashiste. Jeta e Petro Markos është e shenjuar sa përmes rrathëve të persekutimit e martirizimit, po aq edhe nëpër gjurmët e ringjalljes e ringritjes së mundimshme. Gjithmonë sfidues dhe kontestator, dhe po aq rebel në jetë e letërsi (“Qyteti i fundit”, “Një emër në katër rrugë”, “Katër Gjikët e mirë”), ai qe revolucionar deri në kufijtë e anarkizmit.

Nëse do të më duhej të gjeja dikë me të cilin mund ta krahasoja Petro Markon, nuk do të hezitoja ta quaja Che Guevara ynë. Ndërsa vepra e shkrimtarit Petro Marko në gjithanshmërinë dhe shumëllojshmërinë e vet qe dhe mbetet vepra e një shkrimtari që do t’i bënte nder çdo letërsie. Ashtu sikundër njihen e pranohen prej shumëkujt ndër studiuesit, kritikët, shkrimtarët, por edhe lexuesit si pararendës të medernitetit të poezisë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi dhe Dhori Qirjazi, unë mendoj se edhe Petro Marko me veprën e vet është pararendës i modernitetit në prozën shqipe të së njejtës kohë.

Sepse Petro Marko i dha prozës e në veçanti romanit në shqip, cilësinë e artit të të shkruarit përmes një gjuhe dhe figuracioni artistik krejt të ndryshëm në cilësi dhe në formë, në dallim nga shumë prej pararendësve të tij, që dominoheshin nga klishe patetike dhe përshkrime lineare përgjithësisht naive e pa ndonjë vlerë të qenësishme artistike, veprat e të cilëve edhe sot përmenden më shumë për arsye dokumentare e historike. Heroi i Petro Markos është njerëzor, është tokësor, është i vërtetë dhe i besueshëm, edhe kur bën personazh veten e tij si Gori tek “Hasta la Vista” ( Gori është Guri, në greqisht Petro). Petro Marko ka edhe një meritë tjetër, për mendimin tim më e madhja meritë e tij, sepse ai qe pari që i dha prozës në shqip universalitetin e munguar, duke e bërë letërsinë tonë të denjë dhe dhënëse në mozaikun e letërsisë europiane, njësoj siç kishte bërë më parë De Rada.

“Hasta la Vista”, “Nata e Ustikës” etj. janë shembujt më domethënës jo vetëm pse ngjarjet nuk zhvillohen në Shqipëri, por më shumë prej faktit se shkrimtari na jep aty universalitetin e fateve njerëzorë, të luftës për drejtësi shoqërore, por edhe të vetë dashurisë, pa të cilën ç’vlerë do të kishte vetë njeriu, kulti i të cilit është motivi qendror i veprës së Petro Markos. Si e tillë, vepra e Petro Markos nuk ka nevojë për shpjegime apo për adresë. Ajo është si vepra e Heminguejit apo e Pablo Nerudës, lexohet dhe shijohet gjithkund.
Por ndërkaq, karakteri apo përmasa universale e veprës së Petro Markos merr vlerë të veçantë, sepse në të gjendet Shqipëria e shpirtit të shkrimtarit dhe i gjithë universi i saj që përcakton kësisoj raportin e ndesjelltë të shkrimtarit me vendin e tij, por edhe të shkrimtarit me botën ku gjendet njësoj si të gjithë shkrimtarët e tjerë.

Një veçori që sjell si kontribut Petro Marko me veprën e vet është edhe dimensioni qytetar i saj. Ai e shkëputi romanin nga keneta apo nga balta dhe solli në të qytetin si psikologji, si mentalitet, si kulturë, si vizion, si e nesërme. Pa dashur dhe pa pretenduar të bëj analizën e plotë të veprës së Petro Markos, u ndala vetëm në disa nga ato që unë i mendoj si kontribute të qenësishme të tij ndër shumë të tilla, duke e përkujtuar shkrimtarin tonë të madh në Vitin e Petro Markos, i shpallur si i tillë prej faktit se ai ka lindur 110 vjet më parë, më 25 nëntor të vitit 1913. Jeta dhe vepra e Petro Markos meriton kujtesë dhe nderim të përditshëm dhe të gjithëkohëshëm, popullor, shtetëror dhe kombëtar. Sepse ai as si njeri dhe as si shkrimtar nuk qe ndër të zakonëshmit. Ndaj, kur më herët u shpall se ky vit do të ishte Viti i Petro Markos, mendova dhe besova se më në fund, në mënyrë të organizuar dhe shtetërore do të nderohet ashtu si e meriton ky shqiptar dhe shkrimtar i madh, i cili na dha aq shumë, duke sakrifikuar e duke vuajtur shumë më shumë, si një qëndrestar dhe patriot i madh.
Mirëpo shpallja e Vitit të Petro Markos mbeti vetëm një metaforë patetike e vullnetit të mirë, pasi ky vit nuk u bë dot viti i tij e as nuk u shenjua si i tillë prej veprimtarish e nderimesh meritore për emrin dhe veprën e Petro Markos.

Ndaj Petro Markos jemi borxhlinj. Përballë emrit dhe veprës së tij duhet të ndjehemi të turpëruar e të qëndrojmë kokulur, sepse nuk i kemi dhënë vendin që meriton. Që prej kur Petro Marko nuk është më fizikisht ndër ne, pakkush (për të mos thënë askush), e ka ndjerë apo e ka kuptuar realisht peshën e madhe të humbjes që pësoi e që vazhdon ta vuajë letërsia shqipe me ikjen e tij. Përndryshe, nuk do të kishim rendur të kapeshim e të mbaheshim pas gjithëfarë emrash, të shumtët pa asnjë kontribut e meritë, duke mbushur me ta sheshe e rrugë, shkolla e dosje me pafundësi dekoratash e duke lënë në harresën e ikjes një mendimtar libertin dhe shkrimtar të madh si Petro Marko. Ikja e çdo shkrimtari është humbje për letërsinë, anipse mbetet e jeton vepra e tij. Por ikja e Petro Markos nuk qe si çdo ikje. Prandaj, edhe humbja që shkaktoi ikja e tij, sot e gjithë kohën do të mbetet e madhe, e dhimbshme përgjithmonë. Ndërsa emri dhe vepra prej shqiptari e shkrimtari patriot e Petro Markos, do të mbeten përjetësish të diellta në panteonin e kujtesës dhe të nderimit popullor dhe kombëtar të shqiptarëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb