Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur nga Foltorja ka bërë thirrje për protestë më 8 maj, duke ftuar të rinjtë dhe qytetarët të dalin në shesh për, siç u shpreh ai, “të ardhmen e tyre”.

Në deklaratën e tij, Berisha e përshkroi situatën ekonomike në vend si të vështirë për të rinjtë, duke argumentuar se blerja e një banese në Tiranë kërkon, sipas tij, dekada të tëra pune.

Ai akuzoi qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama për korrupsion dhe keqmenaxhim, si dhe ngriti pretendime për pasuri të pajustifikuara të disa zyrtarëve dhe individëve të lidhur me administratën publike, përfshirë edhe institucione si AKSHI.

Berisha u bëri thirrje të rinjve dhe prindërve që të bashkohen në protestë, duke përmendur çështje si pagat e ulëta, çmimi i karburantit dhe cilësia e shërbimeve publike.

Sali Berisha: Siç është faktuar nga deklarata të shumtë të zyrtarëve europianë, siç u faktua në rezolutën e IDU që u firmos falë opozitës.

Siç është faktuar edhe me raportin IBAR, i cili shqyrtohet çdo javë në Bruksel, por javën nuk e kalon akoma dhe çdo javë rëndohen kërkesat më të drejtë ndaj Shqipërisë sepse Shqipëria është vendi i vetëm që përdor parlamentin si mburojë për vjedhjet dhe krimin.

Sonte unë kam një thirrje për çdo të ri shqiptar.

Të jesh i ri dhe të ndërtosh jetën në Shqipëri, sot e vërteta është mision pothuaj i pamundur.

Kjo, jo për fajin tuaj.

Jo prej paaftësisë tuaj siç shpesh përpiqen t’ua thonë, as për dembelizmin tuaj.

Por si mund të ndërtosh jetën në një vend ku Lubi Balluku zotëron 300 apartamente, ndërsa një të riu i duhen 104 vite punë për të blerë një apartament në kryeqytet.

Si mund të ndërtosh jetën në një vend ku Ergys Agasi, koordinator i Edi Ramës me kartelet e drogës dhe krimit të organizuar, zotëron mbi 20 lloj pasurish, apartamente, garazhe, troje, pyje, resorte, automjete luksoze, të gjitha pasuri të vëna nga paratë e vjedhura qytetarëve, nga paratë e krimit që ai ndan me Edi Ramën.

Si mund të ndërtosh jetën në një vend ku Linda Karçanaj e AKSHI-t merret një ditë në mbrojtje nga Edi Rama dhe deklaron se ajo jeton në shtëpi me qira dhe pak javë më vonë dalin apartamente, vila në qytete të ndryshme, ullishte, automjete luksoze, llogari të shumta bankare, të gjitha në pronësi të Lindës së AKSHI-t, të gjitha këto para të vjedhura qytetarëve shqiptarë.

Të gjitha këto para që kanë në bazë pengmarrjen mafioze të biznesmenëve që të mos guxojnë të konkurrojnë në tendera ku konkurron kryepeshkaqeni Armand Frangu, kunati i Linda Ramës.

Si mund të ndërtosh jetën në një vend ku çifti Rama, Edvini dhe Linda, me kunatin e tyre vjedhin qindra milionë euro nga AKSHI, para të taksapaguesve shqiptarë si në kopshtin e tyre privat.

Prandaj thirrja ime për çdo të ri, më 8 maj, me zemërim, me revoltë, të zbresin në shesh për të ardhmen e tyre.

Thirrja ime për prindërit, veçanërisht për çdo prind që ka fëmijë, por edhe ata që kanë nipër e mbesa, sot më shuë se kurrë duhet të protestoni për jetën dhe sigurinë e fëmijëve tuaj.

Duhet të protestoni për pagat e ulëta.

Protestoni për çmimin e lartë të naftës dhe të transportit, për shërbimet mizerabël që u rezervohen, për transportin e kushtueshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb