NGA FATMIRA NIKOLLI*
Siti i Komanit është i jashtëzakonshëm për përmasat, larminë dhe pasurinë e tij. Ta shkatërrosh, sepse bëhet vërtet fjalë këtu për një shkatërrim, do të ishte një shuarje e pariparueshme që do t’i bëhej trashëgimisë shqiptare”. Për Luc Buchet, në këtë mënyrë përkthehet kalimi i linjës së interkonjeksionit mbi Koman.
Buchet është një prej emrave më në zë në botën e kërkimeve shkencore. Sot, është drejtues kërkimesh në CNRS (Qendra Nacionale e Kërkimeve Shkencore) në Francë (është pjesë e UMR 7264 CEPAM (Cultures et environnements Préhistoire, Antiquité, Moyen Âge në Nice), është bashkëdrejtues i misionit Arkeologjik të Lezhës dhe drejtues i ekipit antropologjik të misionit Arkeologjik të Komanit.
Kur e pyet se si procedohet në vende të tjera në raste të ngjashme, Luc nuk ngurron të thotë se: “Çdo gjë varet nga rëndësia që shteti u kushton çështjeve kulturore, nga fuqia e disa lobingjeve dhe ndonjëherë, fatkeqësisht, nga shkalla e korrupsionit e disa aktorëve të jetës politike të të gjitha niveleve…”.
Në intervistën e tij për “Gazeta Shqiptare”, ai arsyeton kundërshtimin që ka për kalimin e kësaj linje mbi vendbanimin e Komanit.
Një linjë e tensionit të lartë do të kalojë mbi vendbanimin mesjetar të Komanit, ku janë gjetur në fakt gjurmë që nga periudha helenistike. Ç’mendim keni ju për këtë?
Nëse prehistoria, dhe në një masë më të vogël historia antike, janë të njohura relativisht mirë në Shqipëri, për Mesjetën nuk është e njëjta situatë. Siti i Komanit është i jashtëzakonshëm për përmasat, larminë dhe pasurinë e tij. Fakti që është përdorur shumë pak, pas braktisjes së tij, e bën atë sot një konservator të historisë antike, por sidomos mesjetare të Shqipërisë dhe një burim të konsiderueshëm të dhënash. Ta shkatërrosh, sepse bëhet vërtet fjalë këtu për një shkatërrim, do të ishte një shuarje e pariparueshme që do t’i bëhej trashëgimisë shqiptare.
Në dijeninë tuaj, a procedohet në të njëjtën mënyrë në vende të tjera?
Çdo gjë varet nga rëndësia që shteti u kushton çështjeve kulturore, por gjithashtu dhe nga kompetencat dhe ndershmëria e shërbimeve arkeologjike; nga fuqia e disa lobingjeve dhe ndonjëherë, fatkeqësisht, nga shkalla e korrupsionit e disa aktorëve të jetës politike të të gjitha niveleve. Shembujt janë të shumtë në të gjitha këto shkaqe.
Ju e njihni Komanin. Cilat janë dëmet që pëson ai për shkak të kalimit të linjës së tensionit të lartë, për shkak të këtij projekti energjetik mbi sit?
Impakti i këtyre punimeve është i shumëfishtë. Nga njëra anë, vendosja e shtyllave kërkon domosdoshmërisht gërmimin e terrenit shumë thellë, çfarë çon në mënyrë të pashmangshme në shkatërrimin e të gjitha pasurive arkeologjike të nëntokës. Për më tepër, për të arritur në vendin e shtyllave (gjatë ndërtimit të tyre dhe gjatë mbikëqyrjes), duhen ndërtuar trase të cilat do të përbëjnë njëherazi zona të shkatërruara dhe zona të pamundura për gërmime të mëtejshme. Nga ana tjetër, përgjatë gjithë linjës ajrore të kabllove, zona të tëra mund të shpyllëzohen, të tjetërsohen dhe të bëhen të pakalueshme. Së fundi, prezenca e kabllove të tensionit të lartë, bën të pamundur në mënyrë përfundimtare çdo survey ajror dhe studim gjeomagnetik.
Programi arkeologjik i Komanit është pranuar nga organet arkeologjike kombëtare (KKA) dhe rezultatet e përftuara nga fushatat e para të gërmimeve kanë dëshmuar rëndësinë e jashtëzakonshme të vendbanimit, ku potenciali historik dhe turistik janë të një rëndësie primare për vendin. Ndërtimi i shtyllave dhe kalimi i linjës së tensionit të lartë do të shkatërronte integritetin e vendbanimit, ndërkohë që, përkundrazi, ai duhet të ruhet dhe kthehet në vlerë trashëgimie në totalitetin e tij (zona A dhe zona B).
Në Francë, si vihet balanca mes nevojës për ruajtjen e trashëgimisë dhe nevojës për zhvillim të projekteve të mëdha? A keni raste të ngjashme?
Në Francë, ligji francez përcakton rregullat e arkeologjisë. Në rastin e një ndërhyrjeje parandaluese, ajo bën të domosdoshme, përpara fillimit të çdo projekti të madh që ka të bëjë me lëvizje të shtresave të nëntokës (ndërtesa publike apo private, infrastrukture kombëtare, sikurse autostrada, hekurudha, rrjet shpërndarës i ujërave dhe rrymës elektrike), aprovimin paraprak të autoriteteve arkeologjike. Në rastet e pranisë së fakteve arkeologjike, realizohet një gërmim parandalues, nga organizmat e lejuar, përpara fillimit të punimeve me karakter ndërtues. Në pjesën më të madhe të rasteve, pas realizimit të gërmimeve, siti pastaj shkatërrohet. Nëse rezultatet e gërmimeve nxjerrin prezencën e një siti të jashtëzakonshëm, projekti i ndërtimit mund të braktiset ose të zhvendoset, në mënyrë që të ruajmë vendbanimin.
Arkeologjia e programuar (është rasti i Komanit) nuk zbaton të njëjtat rregulla me të arkeologjisë parandaluese (arkeologjisë së shpëtimit). Ajo bazohet në një programim shkencor kombëtar. Ajo i përgjigjet një logjike shkencore, afatgjatë, ndryshe nga gërmimet parandaluese që u përgjigjen projekteve ndërtimore, afatshkurtra.
Ju jeni bashkëdrejtues i misionit Arkeologjik të Lezhës dhe drejtues i ekipit antropologjik të misionit Arkeologjik të Komanit. Si i tillë, ju i njihni zonat ku kalojnë shtyllat, i dini koordinatat e tyre. Cili është potenciali i zonës?
Mund ta njohim potencialin arkeologjik të një zone të caktuar nëpërmjet një diagnostike preventive (sondazheve). Kjo diagnostikë është realizuar tashmë në Koman, në sajë të survey-ve sistematike të realizuara gjatë fushatave të gërmimeve dhe survey-t të përqendruar gjerësisht në 2014. Kjo diagnostikë zbuloi praninë e shumë rrënojave dhe fakteve arkeologjike, në totalitetin e zonave A dhe B, në kuadrin e realizimit të objektivave të programit arkeologjik katërvjeçar (2013-2016), të misionit shqiptaro-francez. Prandaj, nuk është e pranueshme të shkatërrosh apo të sterilizosh një zonë me potencial të lartë arkeologjik. Përkundrazi, ajo duhet ruajtur dhe shpallur si trashëgimi kombëtare e patjetërsueshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb